Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame ka deklaruar se askush mund mund të ndërhyjë në çështjen e punësimeve në këtë institucion. Lame iu ka bërë një thirrje të gjithëve, duke kërkuar nga njerëzit e familjes apo ata që e njohin nga afër që të mos i kërkojnë favore për të hyrë në punë apo të bëjnë ndërhyrje që të favorizojnë persona të caktuar.
“Ju lutem mos më ndërhyni për punësimet. Duhen profesionistë dhe jo miq. Të gjithë kërkojnë të zgjidhin nyjen e pronës, e cila zgjidhet vetëm me profesionistë.O më thoni të bëj Kadastrën, ose qoka me miqtë. Të dyja nuk bëhen”, ka deklaruar Lame.
Ai bëri dije se janë 74 vende vakante në zyrat e Kadastrës dhe i ftoi të gjithë të interesuarit të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj agjencie.
“Reforma për rritjen e profesionalizmit do të vijojë. Sot po lajmëroj hapjen e garës për punësimin e 74 specialistëve në zyrat e kadastrës. 74 vende të lira në kadastër në profesione të ndryshme. ”, u shpreh Lame.