Kryedemokrati Lulzim Basha tha sot se paratë e oligarkëve do t’u shpërndahen shqiptarëve sapo ai të vijë në pushtet.
Deklaratat erdhën pas takimit mes tij dhe ministrit të Jashtëm austriak Alexander Schallenberg, në selinë blu.
Basha tha se opozita do ta nxjerrë vendin nga marshi indietro që i ka futur Edi Rama.
“Me ministrin austriak ndamë shqetësimin për qëndrimin e shumë faktorëve europianë me mosbesimin që ka krijuar qeveria shqiptare duke mos plotësuar kriteret kryesore për hapjen e negociatave. Dua ta them qartë që rruga që ka zgjedhur Rama në këtë javë që ka mbetur është e gabuar. Është rruga e fajësimit ndaj BE-së dhe cdo kujt tjetër, dhe opozitës, medias dhe qytetarëve për të hequr përgjegjësinë.
Në fakt i vetmi njeri përgjegjës është Edi Rama. Ai po tregon se është pengesa e vetme për të tejkaluar këtë krizë. Opozita e bashkuar në krye të detyrës, propozimi për reformën zgjedhore vijon që të mbetet në tryezë dhe me këtë përgjegjësi i kam konfirmuar ministrit austriak që mund të mbështeten te PD-ja.
Synimi ynë është që përmes zgjidhjes së krizës është që ecim me vendosmëri dhe vizion për të bërë detyrat tona të shtëpisë për të luftuar korrupsionin duke i nxjerrë paratë nga xhepat e politikanëve të korruptuar dhe duke i kthyer te xhepat e shqiptarëve” tha ai.