Është përmbyllur në Gjirokastër misioni i 14-të arkeologjik në luginën e Drinos, një bashkëpunim i arkeologëve shqiptarë dhe italianë i shtrirë këtë vit në tre site, Paleokastër, Antigone dhe Melan. Prof.Roberto Perna tha se gjetjet po çojnë drejt një tjetër këndvështrimi mbi të kaluarën antike të luginës. Misioni që këtë vit ka zgjatur më shumë se 5 javë është përmbyllur me disa gjetje të rëndësishme.
“Këtë vit kemi punuar në tre site arkeologjike, palokastër, antigone dhe melan ku kemi vazhduar me kërkimet e nisura vitet e kaluara. Në Palokastër gjatë kërkimeve kemi patur mundësinë të përcaktojmë disa prej fazave të jetës ku kemi konkluduar se pikënisja është periudha e vonë romake. Kemi mundur të zbulojmë ndërtime ushtarake me materiale që përdoreshin në jetën e përditshme dhe disa mbishkrime kishtare . Në melan kemi vazhduar kërkimet e nisura një vit më parë ku kemi zbuluar dy kulla të periudhave të ndryshme, një bizantine e një helenistike, dy periudha shumë të rëndësishme. Kërkimet tona janë kryer në funksion të një procesi vlerësimi falë bashkëpunimit italo – shqiptar, një process i rëndësishëm që përfshin të gjitha sitet arkeologjike të luginës së drinos. Këtë vit jemi vërtet të kënaqur edhe për faktin që misioni ka zgjatur më shumë se zakonisht, për 5 javë. Vetëm në palokastër kemi gjetur më shumë se 20 monedha dhe kemi vendosur disa piketa shumë të rëndësishme mbi historinë e këtyre siteve. Ne kemi bërë një hap të madhe para drejt evidentimit në këto site arkeologjike, me rezultate të shkëlqyera shkencore që më pas do të ndihmojnë për zhvillimin turistik të tyre”, thotë Perna.
Për profesor Pernën kërkohet më shumë vëmendje ndaj siteve arkeologjike si ai i Adrianopolit ku prania e ujit gjatë dimrit dëmton strukturat e gjetura.
“Në Adrianopoli ka një problem. Ne cdo vit punojmë me restaurimin e gërmimeve të kryera, por aty ka nevojë emergjente të sistemimit të kanaleve ku rrjedh uji. Gjatë dimrit ky sit mbulohet nga uji duke shkaktuar dëmtime dhe hapja e këtyre kanaleve kulluese i bën strukturat të dukshme përgjatë gjithë vitit duke shmangur edhe dëmet që shkakton uji, prania e të cilit cënon edhe potencialin turistik të sitit. Ndaj unë apeloj për më shumë vëmendje dhe hapjen e këtyre kanaleve që e kthejnë sitin në një pellg të madh duke na detyruar cdo vit të ndërhyrjmë për të konsoliduar strukturat që kemi zbuluar”, thotë ai.
Misioni njoftoi vijimësinë e kërkimeve gjeofizike në sitet arkeologjike me qëllim përmbylljen e hartës topografike edhe në funksion të vazhdimësisë së gërmimeve në vitet e ardhshme. Misioni ka si synim edhe vazhdimin e studimit të materialeve arkeologjike të nxjerra në dritë gjatë gërmimeve./ TCh