Gjatë kësaj jave, specialistë të Inspektoratit Qendror trajnuan rreth 100 inspektorë të bashkive të qarkut të Gjirokastër (Bashkitë Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Leskovik, Libohovë, Dropull dhe Gjirokastër). Në takimin trajnues me inspektorët e bashkisë ishin të pranishëm Inspektori i Përgjithshëm Shkëlqim Hajdari dhe Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi.
Në fjalën e tij, Golemi i uroi mirëseardhjen specialistëve të IQ dhe theksoi se inspektorët e Bashkisë Gjirokastër, nëpërmjet procedurave standarde dhe online, do t’i shërbejnë më mirë biznesit të qytetit, do ulin barrën ndaj tyre dhe njëkohësisht do rrisin transparencën dhe ulet korrupsioni.
Ndërsa Inspektori i Përgjithshëm, Hajdari theksoi: “Qarku i Gjirokastrës është i dyti, pas qarkut të Vlorës, ku inspektorët e tyre u trajnuan javën që shkoi. Ne, deri në fund të këtij viti synojmë të trajnojmë të gjithë inspektorët e bashkive të të gjitha qarqeve. Shpresojmë që janari i vitit që vjen, do t’i gjejë të gjithë inspektorët vendorë të Shqipërisë, duke i kryer procedurat e inspektimit me dokumente e procedura standarde dhe online, njëlloj siç i kryejnë prej një viti inspektimet, Inspektoratet Shtetërore. Në përfundim të kësaj reforme, Shqipëria bëhet vendi i vetëm në Ballkan, që e kryen procesin e inspektimit, si në nivel kombëtar dhe lokal, sipas standardeve të inspektorateve të vendeve të BE-së.”