Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar lëndët konfliktuale, të cilat nuk mund të zgjidhen njëkohësisht nga maturantët gjatë plotësimit të Formularit A1.
“Gazeta Shqiptare” zbardh tabelën e plotë ku mund të gjeni të gjitha kombinimet e gabuara, të cilat mund t’ju penalizojnë në rast përzgjedhjeje. Për shembull, një maturant nuk mund të zgjedhë njëkohësisht Kiminë bërthamë dhe Kiminë e thelluar, ndonëse numri i krediteve të këtyre dy lëndëve është mbi 8. Me të njëjtën logjikë, tabela ju orienton për kombinimet që nuk lejohen për provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2017. Ndërkaq, nëse i referohemi rregullores së miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, atëherë gjatë përzgjedhjes maturantët duhet të mbajnë parasysh se nuk mund të zgjedhin më shumë se dy lëndë, ndërkohë që numri i krediteve të këtyre dy lëndëve nuk duhet të jetë më i vogël se 8. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje përmban 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila (10 pikë gjithsej), dhe 10 pyetje me zhvillim, që vlerësohen me 3 pikë secila (30 pikë gjithsej). Kjo do të thotë se, pikët maksimale që mund të merren nga provimet me zgjedhje janë 40.
Formulari
Tashmë AKP-ja ka publikuar Formularët A1 dhe A1Z, përmes të cilëve maturantët mund të zgjedhin lëndët që do të japin si provime me zgjedhje. Gjithashtu, janë publikuar edhe udhëzuesit përkatës, të cilët orientojnë të gjithë nxënësit rreth mënyrës që duhet të ndjekin për plotësimin e tyre. Sikurse është bërë e ditur edhe më herët, aplikimi për provimet e Maturës Shtetërore me Formularët A1/A1Z do të fillojë në portalin qeveritar “e-albania” dhe do të përfundojë në portalin e Maturës Shtetërore online. Duke filluar nga data 15 mars, maturantët mund të kryejnë fazën e parë të aplikimit, ndërsa afati i fundit është data 30 mars. Më pas, nis faza e dytë në portalin “Matura Shtetërore 2017”, që do të kryhet në periudhën 25 mars-10 prill 2017, sipas kalendarit të publikuar nga AKP-ja. Formulari A1 plotësohet online vetëm nga maturantët e vitit shkollor 2016-2017, në shkollën ku maturanti vazhdon mësimin, ndërsa procesi i plotësimit ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”.
Ndërkaq, të drejtën për të plotësuar Formularin A1Z e kanë: Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2017 dhe që kanë detyrim për të dhënë një ose disa provime të Maturës Shtetërore; kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe, pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të MAS-it, rezulton se kanë detyrim për të dhënë një ose disa provime të Maturës Shtetërore; si dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri ose jashtë vendit, që nuk kanë detyrim për të dhënë provime në MSH 2017, por që duan të vazhdojnë studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë.
Plotësimi online i Formularit A1Z, për kandidatët bëhet në shkollat ku kanë kryer arsimin e mesëm të lartë ose në shkollën e përcaktuar nga Komisioni i Maturës Shtetërore e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur. Kandidatët për të plotësuar Formularin A1Z, duhet të paraqesin te mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga shkolla ku kanë dhënë provimet. Vërtetimi, veç gjeneraliteteve duhet të ketë edhe këto të dhëna: Provimet e detyruara dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga kandidati, si dhe provimet me zgjedhje dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga kandidati. Edhe për plotësimin e Formularit A1Z, AKP-ja ka publikuar kalendarin, sipas të cilit, aplikimi fillon në datën 6 prill dhe përfundon në datën 10 prill.