Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandateve për dy kryebashkiakët, Adriatik Zotkaj dhe Tërmet Peçi.
Me katër vota të përfaqësuesve të mazhorancës në këtë Komision dhe në mungesë të përfaqësuesve të opozitës, KQZ hodhi poshtë pretendimin e Prokurorisë, që kërkonte ndërprerjen e mandatit për kreu e Bashkisë së Poliçanit dhe atë të Bashkisë së Tepelenës.
Argumentimi i Prokurorisë është se Zotkaj dhe Peçi nuk kishin treguar dënimet që kishin marrë, pavarësisht se dënimet nuk ishin shkak për heqjen e mandatit, mosdeklarimi është argumenti i përdorur nga organi i akuzës.
Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që në përfundim të afatit për t’ju përgjigjur kësaj kërkese të risjellë diskutimin për të gjithë të zgjedhurit që kanë deklaruar jashtë afateve të dhënat e tyre në deklaratën e dekriminalizimit.
Janë 21 zyrtarë të zgjedhur vendorë dhe qendrorë që kanë dorëzuar formularin me vonesë. Shifra është konfirmuar edhe në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku përfaqësuesit e opozitës nuk merrin pjesë. Kryetari i këtij Komisioni, Denar Biba thotë se janë 13 deputetë dhe 8 kryetarë bashkishë që rrezikojnë të penalizohen nga dekriminalizimi.
Lista hapet me emrin e Arben Ristanit dhe aty është edhe ish-Kryeministri Berisha. Në total janë 13 deputetë si dhe 8 kryetarë bashkishë.
Ajo që bie sy është fakti se organi i akuzës ka kërkuar ndërprerjen e mandatit vetëm për 2 kryetar bashkie, përkatësisht Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotkaj.