Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër gazetarët që kanë telefonuar numrin e vendosur nga Ministria e Shëndetësisë 127, për të provuar nëse përgjigjen. Në një deklaratë të përbashkët për mediat me ministren Ogerta Manastirliu, Rama tha se ky numër nuk është gallatë. Duke mos përmendur emra, kryeministri shtoi se është e palogjikshme që disa gazetarë të mblidhen të bëjnë debat për koronavirusin dhe të provojnë numrin 127.
“Unë kam vite që nuk ulem në darkë të shoh debatet në televizione. Si mund të mblidhen një tufë gazetarësh aty në studio, të bëjnë debat për koronavirusin dhe të provojnë 127? Për provë? Pse për çfarë është 127, për gallatë?”- tha kryeministri.
Ajo që e telefonoi live numrin 127 një natë më parë ishte Sonila Meço. Gazetarja e telefonoi live në emisionin e saj dhe vajzës që iu përgjigj i tha se e bëri sa për ta provuar.









