Rektori i Universitetit të Mjekësisë dhe një kohësisht Koordinatori i Task-Forcës për Koronavirusin, Arben Gjata është shprehur për çdo rast të konfirmuar duhet llogaritur si 5 persona të prekur. Sipas tij një i infektuar mund të ketë prekur dhe 4 të tjerë, por këta të fundit nuk mund të kenë simptoma.
Shqipëria deri tani ka 51 të prekur zyrtarisht me koronavirus dhe sipas asaj që thotë Gjata, janë rreth 250 të prekur realë. “Studimet tregojnë se jo çdo autoritet mund të konstatojë të gjithë të prekurit përmes testeve, rrjedhimisht një pjesë e madhe e të infektuarëve nuk perceptohen nga sistemet shëndetësore duke vijuar të infektojnë të tjerë. Prandaj edhe shërben karantina”, tha Rektori i Mjekësisë në një intervistë në ABC News. Gjata shpjegoi gjithashtu se nëse do të preken 1-2 për qind e popullsisë duhen shpallur gjendja e epidemisë në vend, por deri tani jemi shumë larg.
Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 51 të prekur. Shkon në 7 numri i mjekëve dhe infermierëve të infektuar, nga Spitali i Durrësit dhe spitali “Shefqet Ndroqi”. Disa ditë më parë një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit ndërsa deri më tani vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier.
Ndërkohë jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, po ashtu dhe shumë vende punë janë mbyllur. Shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private. Dje është miratuar dhe Akti Normativ, që detyron spitalet private që të jenë në shërbim të shtetit gjatë periudhës së emergjencës dhe kush nuk bindet do ketë gjobë deri në 5 milionë Lekë. Po ashtu gjoba do ketë dhe për ata që thyejnë rregullat e vendosura nga qeveria. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.









