Sot do të duhej të ishte data e fundit kur palët të regjistroheshin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si pjesë e koalicioneve garuese për zgjedhjet e 18 qershorit por kjo me gjasë nuk do të ndodhë.
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë dërguar një letër Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ku i kërkojnë shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve.
Kërkesa që mban firmën e dy krerëve të grupeve parlamentare të PS-LSI dhe që Ora News e disponon, thuhet:
“Partia Socialiste, Levizja Socialiste per Integrim dhe partite e tjera te Aleances per
Shqiperine Europiane jane ne perpjekje te vazhdueshme per te negociuar me opoziten, per te mundesuar pjesemarrjen e plote te te gjithe spektrit ekzistues politik te vendit ne zgjedhjet per Kuvendin e Shqiperise te dates 18.06.2017.
Ne kete kontekst social-politik, i cili nuk mund te neglizhohet nga asnje institucion publik ne vend e, aq me pak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kerkojme nga ana juaj nje qendrim ne lidhje me mundesine per te shtyre afatin e regjistrimit te partive politike ne zgjedhje (neni 64 i Kodit Zgjedhor) dhe te regjistrimit te koalicioneve zgjedhore (neni 65 i Kodit Zgjedhor).
Ne gjykimin tone, tejkalimi i afateve te parashikuara nga nenet 64 dhe 65 te Kodit Zgjedhor me disa dite, ne nderkohe qe nuk do te sillte asnje pasoje penalizuese, nga ana tjeter do te kontribuonte per te krijuar hapesira per te siguruar nje proces sa me gjitheperfshires”.
Për shkak të situatës politike dhe ngërçit mes partive, ku opozita prej më shumë se 2 muajsh ka bojkotuar Kuvendin dhe është në protestë, duket se të gjitha afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor do të shkelen, duke treguar edhe njëherë një shkallë të lartë papërgjegjshmerie në respektimin e disa ligjeve si ky kod i cili është miratuar me jo më pak se 84 vota në Parlament.
Pas tejkalimit të 10 prillit si data limit kur partitë mund të regjistroheshin për zgjedhje, tashmë digjet dhe 19 prilli si data e regjistrimit të koalicioneve.
Mes aktorëve politikë po diskutohet data 2 maj si afati përfundimtar, kur nuk mund të tolerohet më shkelje.
Kjo datë vjen sepse brenda 29 prillit çdo parti duhet të paraqesë listën e kandidatëve për deputetë, por duke qenë se kjo ditë qëllon e shtunë dhe 30 prilli e diel, datat do të zëvendësohen duke bërë që 2 maji të jetë afati kur do të mësojmë nëse do të ketë parti, koalicione apo kandidatë që do të marrin pjesë në zgjedhje dhe nëse do të ketë apo jo zgjedhje.