Nga Mentor Kikia
Për shkak të historikut të marrëdhënies tonë me kanabisin, ideja e legalizimit të tij duket shumë komike. Pasi e kultivuam masivisht dhe furnizuam Europën mbarë, tashmë i jepet jete një ideje të vjetër për ta bërë zyrtare. Njësoj si ndërtimet pa leje.
Padyshim, legalizimi nuk do të thotë se kushdo mund ta mbjellë tokën e tij me canabis dhe policia të mos ia shkulë. Do të bëhet fjalë për “ferma” të posaçme, të liçensuara dhe të kontrolluara. Ende pa u dhënë licensat, deputeti Ilir Beqja kishte hallin nëse do ta pëlqejë tregu europian apo jo kanabisin shqiptar. Në fakt unë se kam këtë merak, pasi Europa e ka provuar kanabisin shqiptar sa i ka dalë tymi nga veshët. Problemi është çfarë do të zgjidhë kanabisi legal për Shqipërinë?
Ne kemi problemin e kriminalizimit të ekonomisë, shoqërisë dhe politikës nga kluftivimi masiv i tij deri tani.
Në kemi prblemin e krizës ekonomike post-corona, pasi rënia e ekonomisë, sipas BB, FMN e BERZH mund të shkojë deri në -9%. Ne kemi mijëra shtëpi e pallate të rrëzuar e dëmtuar nga tërmeti, që presin të rindërtohen, për të futur të pastrehët brenda.
Pikërisht në këto kushte ne po i drejtohemi legalizimit të kanabist. Pavarësisht sëmundjeve që shëron ai në aspektin mjeksor, pyetja është: A shëron legalizimi ndonjë nga “sëmundjet” tona të mësipërme? Pra, a e zbeh ai tendencën e kultivimit të paligjshëm? A është ai një “as nën mëngë” për të prodhuar para sa të ndihmojë ekonominë tonë të drejtojë këmbët, përballë dy krizave të rënda?
Nëse nuk ka asnjë projeksion mbi impaktet në ekonomi dhe në uljen e kriminalizimit, atëherë legalizimi është vetëm një cigare e madhe që është ndezur pikërisht tani, për të na tymosur e trullosur të gjithëve, që të mos jemi në gjendje të shikojmë ekonominë teksa merr tatëpjetën.