Nga Hamdi Jupe
Të dielën, më 17 maj, dola nga Liqeni herët në mëngjes. Te diga nuk kishte asnjë polic, siç kishte një ditë më parë. Mendova se e kishin liruar lëvizjen e njerëzve në park. Pas pak dëgjova një grua që tha se policët janë të gjithë te Teatri. “Është shembur.” – tha. Ashtu? Nuk e dija këtë.
U ktheva në shtëpi dhe pashë në televizor se ç’po ndodhte. Teatri po shembej. Televizionet po jepnin pamjet e prishjes. Më bëri përshtypje një gjë: Kur kova e fadromës u afrua te muri ballor i ndërtesës, ky u shemb menjëherë, sikur të ishte prej letre. E dija se ajo godinë nuk mbante më, por jo të ishte kaq rëndë. Është fat i madh që nuk ka zënë njeri brenda gjatë kësaj kohe.
Policia kishite ndërhyrë në të gdhirë dhe e kishte liruar teatrin nga aktivistët e opozitës që ndodheshin atje gjatë natës. Ja edhe zonja Kryemadhi, (gruaje e Presidentit të Republikës) e veshur me xhinse, e gatshme për luftë, duke dalë nga godina e teatrit ku ishte ngujuar, e shoqëruar nga krahët për te forgoni i policisë nga dy oficere femra. Kryetari i opozitës Basha kishte bëri më herët një deklaratë tjetër “të fortë” kundër prishjes edhe ai. Edhe Presidenti i Republikë lëshoi një shashkë (por shashkë e fortë ama!) me anë të një deklarate presidenciale kundër prishjes, kur u zgjua e vuri re që gruaja e tij nuk ishte në krevatin bashkëshortor presidencial, por në rajonin e policisë.
Analisti aspak i varur i medias Alfred Lela kishte dashur t’u tregonte forcën e tij fizike (prej analisti) policëve në trotuarin para bulevardit. Mirëpo ata të policisë e kisihin shtrirë në shesh analistin (se ata janë më të fortë fizikisht se analistët) i kishin hedhur prangat dhe e kishin nisur për në rajonin e policisë. “Live” të gjitha edhe këto.
Një grup prej nja njëqind qytetarësh shumë të revoltuar po protestonin “me zjarr” përballë policisë që kishte rrethuar sheshin para teatrit. Ishin aktivistët e LSI-së, me ish – deputetët e dorëhequr të saj në krye. Ata provokonin policinë me thirrje dhe sharje të ndryshme popullore dhe i bënin thirrje popullit që të dilte në shesh e të mbronte demokracinë, se teatri “u pa puna, mori fund tani”, po duhet mbrojtur demokracia tani. “Mblidhuni o popull, hidhuni o popull, ngrihuni o popuul!” Mirëpo populli nuk po dukej gjëkundi në bulevard.
Populli atje ishte, në Tiranë, mbi tetëqind mijë vetë, se plazhet nuk janë hapur akoma për shkak të karantinës. Por populli nuk u duk gjëkundi në mbrojtje të teatrit, (po të përjashtojmë ata që thamë) sepse populli e dinte që aty nuk kishte gjë për të mbrojtur. Jo, nuk kishte gjë. Kjo dihej nga të gjithë ata që janë me mend në kokë, jo sot, po prej pesëdhjetë vjetësh. Populli e dinte se teatri nuk është gjë tjetër, veçse një çështje e axhendës së dështuar politike të opozitës, me të cilën populli nuk ishte dhe nuk mund të jetë dakord.
Populli qytetar i Tiranës kishte dalë nga Liqeni për t’u mbushur me frymë, pas dy muajsh “burgosjeje” në shtëpi për shkak të karantinës, ndërsa populli fshatar kishte dalë të mihte tokën në arë për të nxerrë bukën e gojës. Populli nuk e luajti menderen nga vendi për teatrin, (kupto: opozitën në këtë rast) kështu që protesta mbeti ashtu siç pritej: te “njeqind petritat” e partive të opozitës. Aty nga ora njëmbëdhjetë kishte marrë fund gjithçka: Edhe dopolavorja, edhe protesta. Amin!
Kështu pra, avulloi edhe kjo protestë e opozitës, jo aq nga vapa e së dielës, sesa nga çështja që mbronte. Mbeti opozita pa protestë. Mbeti opozita pa axhendë politike, derisa të gjejë një tjetër të tillë të dështuar si edhe të tjerat e deritanishme. Tirana nuk e ka më “dopolavoron” fashiste, që kishte mbirë aty prej tetëdhjetë vjetësh. Por nuk është ky prolemi. Ne rrojmë edhe pa dopolavoro. Teatri do të ngrihet i ri dhe ne e ata që do të vijnë pas, do ta gëzojnë. Problemi është gjetkë: Vendi nuk ka opozitë, ky është problemi i vërtetë. Rasti i teatrit tregoi edhe një herë tjetër se opozita politike tek ne është kthyer në një komedi, në mos në një varg të pafundmë skeçesh e paraodish, të denja për estradë.
Opozita bëri kauzë të saj mbrojtjen e teatrit, kur nga të gjithë dihej që ajo nuk ishte kauzë. U investua me muaj të tërë në të, kur dihej se ajo ishte një çështje e vdekur që në lindje, për të cilën nuk ia vlente të investohej politikisht. Çfarë do t’i thotë opozita tani popullit, kur ai ta pyesë: “E mo, e mbrojtët dot teatrin?” Me çfarë rezultatesh të “fitoreve” politike do të shkojë opozita në zgjedhjet e reja parlamentare pas një viti? Ku i ka trofetë e tetë viteve të qendrimit në opozitë opozita? Cilën çështje të madhe të popullit ka mundur të mbrojë me sukses deri tani ajo?
Akoma do të vazhdojë të kërkojë qeveri teknike për zgjedhjet e reja opozita, kur e di se votat në kuti nuk i hedh qeveria, por populli? Sa çështje bëri kauza të saj politike opozita gjatë këtyre tetë viteve dhe cila çështje nuk i dështoi plotësisht? Mos fitoi gjë me luftën që bëri te kodrat e liqenit artificial për të penguar ngritjen e këndit të lojërave për kalamajtë atje? Mos e fitoi gjë “çështjen” e Unazës së Madhe, për të cilën u shkruan edhe libra të posaçem për të? Mos fitoi gjë opozita nga braktisja e mandateve parlamentare një vit më parë? Mos nxori gjë në dritë nga protestat gjashtëmujore të vitit të shkuar? Mos fitoi “kauzën” e mbrojtjes nga COVD 19 me propozimet e saj fluturake, kur në Maqedoninë fqinje ka katër herë më shumë të vdekur sesa ka vendi ynë nga sëmundja? Na thoni, ju lutem, një çështje që ka fituar opozita gjatë këtyre tetë viteve të fundit dhe unë do të votoj për të në zgjedhjet e ardhshme. Atëherë, çfarë do t’i thotë opozita popullit, kur të fillojë fushata e ardhshme elektorale?
Sidoqoftë, tani për tani shpëtuam nga kauza boshe e teatrit. Tani opozita do të duhet të interesohet për ata që ka burgosur policia nga ngjarja e fundit dhe që do të shkojnë në gjyq për të paktën dy akuza: njëra për përdorim dhune ndaj policisë dhe tjetra për shkelje të karantinës. I urojmë suksese. Qeveria duhet përgëzuar që, më në fund, ia hoqi nga duart opozitës këtë çështje boshe. Le të gjejë një kauzë tjetër më të qenësishme, nëse dëshiron./ TemA