Sikundër u raportua më herët, Policia e Shtetit ka reaguar përmes një deklarate për protestën e sotme të opozitës, duke thënë se ajo ishte e paligjshme dhe për këtë arsye do të çojë për procedim penal organizatorët e saj.
“Protesta e sotme e opozitës, u organizua kryesisht nga deputetë dhe funksionarë të Partisë Demokratike në kundërshtim me ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, edhe pse u lajmëruan me shkresë dhe publikisht nga autoritetet ligjore përkatëse.
Përgjatë zhvillimit të tubimeve janë dokumentuar shkeljet e ligjit dhe përgjegjësitë e organizatorëve, konkretisht shkelje konform nenit 262 të Kodit Penal ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme’ si dhe nenit 293 të Kodit Penal ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’.
Për këtë arsye Policia po punon për kryerjen e veprimeve të mëtejshme proceduriale, këto veprime do t’u paraqiten Prokurorive të rretheve gjyqësore përkatëse për ndjekje penale.
Në bazë e në zbatim të ligjit, strukturat e Policisë pas fiksimit dhe mbikqyrjes profesionale të protestave të paligjshme, kanë përpiluar materialet proceduriale, për organizatoret dhe shkelësit e ligjit dhe materialet do të referohen për fillimin e çështjes penale në Prokuroritë e rretheve gjyqësore, respektive, Tiranë, Kurbin, Elbasan e Lushnjë”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.