Kryeministri Edi Rama thotë se opozita nuk e shfrytëzoi hapësirën e lënë nga mazhoranca për të gjetur një zgjidhje, ndërsa shton se duke filluar prej ditës së nesërme, Partia Socialiste do të nisë rrugën pa Partinë Demokratike drejt zgjedhjeve të 18 qershorit.
Rama: Kohën e fituar nga tërheqja jonë nga Kavaja dhe shmangien e një shfaqje turpi në rrugët e qytetit të vogël, Partia Demokratike nuk e shfrytëzoi për të mbyllur laboratorin e krizës artificiale ka instaluar në Bulevard për të hapur një faqe të re bashkëpunimi të qeverisë me opozitën, e humbi këtë kohë të çmuar duke festuar një fitore imagjinare në bunkerin ku është kyçur nga frika e drejtësisë dhe duke kërcitur dhëmbët për fitore të reja si kjo.
Përfundimi se në zgjedhjet e 18 qershorit po merr formë përfundimtare për shkak të verbërisë fatale të dy njerëzve në krye të saj, liderit të vjetër e hakmarrës që nuk e treti dot fare humbjen e rëndë të 4 viteve më parë dhe kryetarit të ri që imiton të vjetrin, por lider dot nuk bëhet.
Është për të ardhur keq, që dëshira, përpjekja dhe durimi ynë nuk mjaftoi sepse në fund fare frika nga drejtësia dhe humbja në zgjedhje që po rezulton fatale për PD-në, ne nuk ua heqim dot dy njerëzve që po sakrifikojnë një parti historike për interesat e tyre krejt personale.
As qeverinë nuk ua japim dot në tavolinë për t’i marrë me të mirë që të mos hedhin në erë PD-në. As zgjedhjet nuk ua shtymë dot se kështu u thotë mendja atyre që të mos destabilizojnë Shqipërinë. As shqiptarët nuk do t’i lëmë nën mëshirën e një lufte qorre për pushtet, duke u hequr të drejtën sovrane të zgjedhin ata vetë qeverinë dhe opozitën që duan për 4 vitet e ardhshme, sepse qeveria është vullnet i shumicës, jo plaçkë.
Kështu që nëse nuk ndodh mrekullia në orët e mbetura, edhe po ndodhi dhe këto fjalë nuk kanë më asnjë rëndësi, ne nesër do të nisemi drejt 18 qershorit pa PD-në, e cila duhet ta ketë shumë të qartë se Shqipërinë peng nuk e merr dot kurrë. As se bën dot një vatër të re gjurulldie në rajonin e trazuar nga ndërhyrjet e aktorëve të tjerë kundër BE-së e NATO-s.