Drejtori ekzekutiv i kompanisë “Temblor Incorporated”, Profesor Ross Stein, ka qenë pjesë intervistimi e radios “Zeri i Amerikës” lidhur me tërmetin 6.4 ballë të shkallës Ringhter si dhe të tjerët që vijuan e vijojnë të jenë ende prezent në realitetin shqiptar.
Ndërsa ka sqaruar se kompania “Temblor” në Shqipëri dhe Ballkan financohet nga zyra amerikane e ndihmës për fatkeqësitë ndërkombëtare, i pyetur nga VOA nëse tërmeti në Shqipëri ishte i parashikuar nga shkencëtarët , dha përgjigjen e mëposhtëme:
“Në një kuptim të gjerë, po. Nga pikëpamja sizmike, kjo është pjesa më aktive e rajonit të Ballkanit dhe në fakt ka një histori tërmetesh më të mëdha e më të shpeshta, edhe më të shpeshta se sa Italia. Për nga aktiviteti vjen ndoshta vetëm pas Greqisë veriore në Evropë”.
Ndërkohë i pyetur rreth krahasimit që do ti bënte tërmeteve e tanishme me tërmetet që kanë goditur Ballkanin në të kaluarën, Prof. Ross Stein, ka sqaruar:
“Natyrisht, tërmeti i vitit 1963 që goditi Shkupin, rreth 165 kilometra në lindje të këtij tërmeti, ishte shumë më shkatërrimtar megjithëse ishte mjaft më i vogël. Ai ishte sa një e pesta në përmasa, por mori 10 herë më shumë jetë dhe pothuajse e shkatërroi plotësisht Shkupin. Pra, fatmirësisht, ky tërmet, ndonëse më i madh, bëri më pak dëme, ndoshta sepse ishte më larg qëndrave të mëdha të banuara…”.