Policia ka dhënë detaje nga aksidenti tragjik në Fushë-Prezë, që ndodhi rreth orës 23:50 të mbrëmjes së të mërkurës, ku humbën jetën 4 të rinj.
Sipas bluve, Benz-i ku udhëtonin 4 viktima është përplasur me një betoniere që drejtohej nga 24-vjeçari Aleksandër Krrashi, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Për pasojë makina është përfshirë nga flakët dhe humbën jetën drejtuesi i Benz-it dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij.
Ndërkohë unformat blu kanë shoqëruar për veprime të mëtejshme 24-vjeçarin që drejtonte betonieren.
Njoftimi i Policisë
Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në Fushë-Prezë, nga shërbimi i qarkullimit rrugor është konstatuar një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere.
Nga hetimet e kryera me qëllim zbardhjen e ngjarjes rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 25 vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi A. K., 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit E. L., 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij E. L., 20 vjeç, E. K., 24 vjeç dhe A. L., 22 vjeç.
Në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi A. K, 24 vjeç.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Kush janë viktimat
Janë identifikuar të rinjtë që humbën jetën në aksidentin tragjik që u regjistrua pak para mesnatës në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë, pranë Fushë Prezës.
Sipas policisë viktimat janë Enejd Laçi, 25 vjeç, Erild Laçi, 20 vjeç (vëlla me Enejdin), Enrikejd Kurti, 24 vjeç dhe Andi Laçi, 22 vjeç.
Ndërkohë në polici është shoqëruar 24 vjeçari Aleksandër Krrashi, drejtuesi i betonieres me të cilën u përplas makina e viktimave përpara se të shpërthente në flakë.
Shkaqet e aksidentit janë të paqarta, teksa policia dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë.