Shpejtësia tej normave të lejuara u ka marrë jetën 2 kushërinjve Fisnik dhe Agustin Murataj nga fshati Kutë i Mallakastrës dhe shtetases franceze Nazie Ahmet, kjo e fundit e fejuara e Fisnikut. Sipas grupit të ekspertëve, shpejtësia tej normave të lejuara ka qenë shkaku i aksidentit tragjik. Ekspertët kanë thënë se referuar dinamikës së ngjarjes dhe këqyrjes së automjetit të vendit ku ndodhi ngjarja, ka rezultuar se drejtuesi i mjetit ka qenë duke ecur me shpejtësi 150 km/orë. Kjo shpejtësi nuk i ka dhënë mundësi të kontrollojë drejtimin duke u zhvendosur disa metra larg nga rruga kryesore. Ngjarja e rëndë u shënua tri ditë më parë në aksin rrugor Levan-Tepelenë pranë fshatit Varibop.