Interi përballet me një situatë delikate në repartin ofensiv, pas dëmtimeve të Marcus Thuram dhe Bonny, në një moment të rëndësishëm të sezonit. Për sulmuesin francez situata duket më optimiste. Thuram ka lënë grumbullimin me kombëtaren franceze dhe do t’i nënshtrohet kontrolleve të tjera mjekësore, pasi dyshohet për një lodhje muskulore në kofshën e djathtë. Në rast se konfirmohen vlerësimet paraprake, ai mund të jetë i gatshëm për sfidën e 22 nëntorit ndaj Atalantës. Një rikthim që trajneri Cristian Chivu e konsideron thelbësor, pasi francezi ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të zikaltërve në javët e fundit.
Më e rëndë është situata e Bonny-t, i cili pritet të qëndrojë jashtë fushave për rreth një muaj. Sulmuesi do të humbasë disa takime të rëndësishme në kampionat dhe Kupën e Italisë, ndërsa në pikëpyetje është edhe prania e tij në sfidën e Champions League ndaj Borussia Dortmundit.
Ndërkohë, lajmet më të mira vijnë nga kapiteni Lautaro Martinez. Pas një periudhe mungese për shkak të dëmtimit, argjentinasi pritet të rikthehet në stërvitje me grupin që nga e hëna. Objektivi i tij është të jetë në dispozicion për transfertën ndaj Atalantës, megjithëse aktivizimi që nga minuta e parë mbetet i vështirë.
Në këto kushte, Pio Esposito është aktualisht e vetmja alternativë e sigurt për sulmin e Interit. Gjithçka do të varet nga rikuperimi i Thuram dhe Lautaros, ndërsa Chivu pret me shqetësim lajmet nga infermieria, për të përcaktuar dyshe-në që do të udhëheqë ofensivën zikaltër në sfidat e ardhshme.







