Aleanca mes PD-së dhe LSI-së në Gjirokastër vijon largimin e njerëzve të PS-së nga funksionet në Këshillin Bashkiak, për t’i zëvendësuar me njerëz të tyre. Në mbledhjen që është parashikuar të mbahet ditën e hënë, një prej projekt-vendimeve për t’u kaluar në këshill është ai “Mbi shkarkimin nga detyra si Sekretar i Këshillit të z. Semi Golemi dhe emërimin në detyrë të Sekretarit të ri të Këshillit të Bashkisë”. Semi Golemi është zgjedhur si sekretar i Këshillit Bashkiak Gjirokastër në vitin 2015, si kandidaturë e propozuar nga socialistët. Por tashmë raportet kanë ndryshuar, ‘tepsinë’e Bashkisë Gjirokastër PD dhe LSI e kanë marrë të gjithën për vete dhe rrjedhimisht do të emërojnë njerëzit e tyre. Në seancën e fundit të Këshillit Bashkiak, u shkarkua Roland Karalli, për t’u emëruar Mimoza Çomo e PD-së, edhe pse ka dyshime se është shkelur ligji në atë seancë. Sidoqoftë mbetet për t’u parë nëse socialistët do ta kontestojnë ligjërisht apo jo këtë akt. Deri më tani nuk dihet ende se cili do të jetë propozimi i aleancës PD-LSI për të zëvendësuar Semi Golemin si sekretar i këshillit bashkiak.
©ArgjiroLajm.net