Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njoftoi të premten se kishte ndryshuar pjesërisht një vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe kishte pranuar kërkesën e SPAK për tre prej të pandehurve, duke ashpërsuar edhe dënimet ndaj tyre.
Braniol Liço, Lulzim Selimi dhe Dhimitër Nina u gjetën fajtorë në Shkallën e Parë, në tetor 2024, vetëm për prodhim dhe shitje narkotikësh dhe u shpallën të pafajshëm për akuzën e krijimit të grupit të strukturuar kriminal. Liço u dënua në Shkallën e Parë me 6.8 vjet burg, ndërsa Selimi dhe Nina me nga 4.8 vite.
Por pas ankimit të SPAK, Apeli, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari Florjan Kalaja dhe me anëtarë Miliana Muça e Dhimitër Lara, i gjeti ata fajtorë edhe për akuzën e dytë. Përfundimisht, Liço, pasi iu aplikua gjykimi i shkurtuar, u dënua me 8 vjet burg, ndërsa Selimi dhe Nina me nga 6.8 vite.
Nga ana tjetër, Apeli la në fuqi pushimin e çështjes për Saimir Prengën, Gjergji Lulin, Alfred Lulin, Ilir Duron, Françesko Çeçin, Lorik Prengajn dhe Gjergj Zefin. Po ashtu, ndryshe nga vendimi i Shkallës së Parë, Apeli vendosi të pushojë çështjen edhe ndaj Florid Vukajt, duke hequr edhe masën e sigurisë ndaj tij. Vukaj ishte dënuar më herët në Shkallë të Parë me 4.8 vite burg.
Apeli vendosi gjithashtu të konfiskonte 5 prona të paluajtshme me një sipërfaqe totale prej 362 metrash katrorë, si dhe kompaninë dhe pasuritë në pronësi të Braniol Liços.
Çështja ndaj grupit është pjesë e hetimeve të përbashkëta mes SPAK dhe autoriteteve italiane. Prokuroria e Posaçme ngriti akuzë për 18 persona, por në gjykim u dërguan 11. SPAK deklaroi se grupi kishte zhvilluar trafik që prej vitit 2015 e në vijim, kryesisht në qytetin e Durrësit në Shqipëri, si dhe në disa qytete të Italisë, përfshirë Bergamon, Breshian, Milanon dhe Torinon.