PD dhe LSI nuk janë bashkë vetëm për të ndarë ‘tepsinë’ e pushtetit në Bashkinë Gjirokastër, por sigurisht edhe për të rakorduar me njëra-tjetrën lëvizjet politike. Pas Roland Bejkos, ka reaguar për çështjen e Arkivit edhe deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo. Ky i fundit poston të njëjtën foto që hodhi më parë kreu i PD Gjirokastër dhe shkruan.
“Atë që nuk arriti dot ta bënte asnjë pushtues, e bëjmë me duart tona. Ja dinjiteti i Gjirokastrës! Arkivat e Gjirokastrës krenare, historia e kësaj treve të pamposhtur, dinjiteti i qytetit të gurtë, identiteti ynë, mëkëmbet, syrgjynoset e përçmohet në mënyrën më të turpshme”.
Ndërkohë deri më tani reagimet që kanë ardhur nga përfaqësues të PS Gjirokastër thonë se nuk kemi të bëjmë me shkrirje të Arkivit, por zhvendosje të dokumentave me rëndësi drejt një prej pesë vendruajtjeve me standarde që do të ndërtohen në të gjithë vendin. Arkivi i Gjirokastrës do të vazhdojë të funksionoj si inspektoriat rajonal. Megjithatë ende nuk ka një reagim zyrtar nga drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido.