Gazetari Artan Hoxha është shprehur se Gerti Shehun, 31-vjeçarin që qëlloi me grusht kryedemokratin Sali Berisha një ditë më parë, kanë tentuar ta sulmojnë me thikë. I ftuar në studion e ‘ABC’, Hoxha tha se ka qenë një militant i Partisë Demokratike ai që ka pasur thikë me vete dhe ka tentuar ta qëllojë. Por, me ndërhyrjen e truprojave të Berishës, ngjarja është parandaluar.
“Është dërguar të trajtohet në spital dhe pse i prangosur. Është dëmtuar shumë fizikisht pas sulmit, sepse nga sulmi i menjëhershëm që iu bë, ishte në rrezik të madh se mund t’i merrnin jetën. E kanë hequr që aty dhe imagjino të kishte humbur jetën, hajde të merreshe me atë aty. E kanë tërhequr dhe gjatë kohës që e kanë sjellë te selia e PD-së, ngaqë policia nuk vinte dot aty sepse rrugët ishin të bllokuara, ka pasur tentativa për ta goditur. Në një rast është tentuar të goditet dhe me thikë nga militantët. Ka qenë një nga militantët, që ka pasur thikë me vete, por kanë ndërhyrë ata, truprojat që e mbanin dhe është parandaluar. Kur u fut në seli, është njoftuar policia,”- tha Hoxha.
Çfarë ndodhi dje?
Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së. 31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe mori mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.