Barça dhuron spektakël, me ekipin e Hansi Flick që nuk njeh rivalë këtë sezon. Mes La Liga dhe Champions, ndaj Galatasary siguruan fitoren e 10-të radhazi, 10 ndeshje 10 fitore. Ky është rasti ideal për t’i vendosur notën 10-të një ekipi këtë sezon. Në një atmosferë fantastike, në Stamboll, Galatasary befasoi Barçën ku në minutën e 28-të, Rafa Leao futi në zonë një kros të pastër, me Batrakov që nuk fali duke bërë që në stadium të shpërthente festa. Ekip i Hansi Flick reagoi në fundin e pjesës së parë me Joao Cancelon që barazoi shifrat në 1-1.
Me fillimin e pjesës së dytë, Barça mori kontrollin total të lojës ku në minutën e 50-të, Lamine Yamal dhuroi një assist për Fermin Lopes, me këtë të fundit që me një goditje të saktë me kokë përmbysi rezultatin në 1-2. Lamine Yamal shërbeu sërish tre minuta më vonë, këtë herë për Gordon, me sulmuesin anglez që u tregua i saktë duke dërguar shifrat në 1-3. Për të kompletuar “pokerin” e golave mendoi Adeyemi, me sulmuesin gjerman që me një goditje të fortë brenda në zonë bëri që Galatasary të dorëzohej përfundimisht. Me 6 pikë të plota në 2 ndeshje, Barça merr menjëherë kreun e Fazës së Ligës në Champions.
Pa diskutim që ky sukses 1-4 në transfertë kënaq trajnerin Hansi Flick: “Jemi shumë të kënaqur me rezultatin. Në Champions, edhe kur luan mirë, në disa situata nuk merr vendimet e duhura në fazën finale të fushës, kjo është një pjesë ku duhet të përmirësojmë. Në këtë stadium, në këtë atmosferë nuk ishte e lehtë, jam shumë i lumtur për këtë fitore”, u shpreh Hansi Flick.






