Bojkoti që këshilltarët e PS-së i kishin bërë sot mbledhjes së Këshillit Bashkiak, por dhe mungesa e tre këshilltarëve të PD-së, i shërbeu Roland Bejkos për të bërë një reagim të ashpër në ato pak minuta mbledhje që u zhvillua. Në shënjestër të tij ishin tre këshilltarët që u larguan para disa ditësh tek PS-ja.
‘E kuptoni ju se kush janë këta këshilltarë? Këta janë këshilltarë që marrin vendime në emër të qytetarëve sepse Partia Demokratike na paska bërë një aleancë me Putinin. E zbuluan këta. Ndërkohë që Edi Rama u jep akses ekonomik rusëve në Shqipëri. Dhe ngeli që këtë gjeopolitikë të madhe ta gjykojnë Ben Rexha, ta gjykojë Dane Hyska. E kuptoni ju se ku jemi, se në çfarë derexheje jemi? Këta kanë ikur për interesa personale. Prandaj mos i votoni symbyllurazi, por reagoni ndaj tyre, ndaj këtyre palaçove. Sepse këta e shikojnë pushtetin vetëm për interesa personale”, tha Bejko.
Më tej ai shtoi se PD nuk ka asnjë njeri të punësuar në Bashkinë e Gjirokastrës, të drejtuar nga LSI-ja. Ndonëse për këtë çështje faktet janë ndryshe, duke qenë se administratori i Lazaratit i emëruar nga Zamira Rami, është kreu aktual i PD-së në Lazarat, Benard Pollo. Për këtë rast Bejko ka thënë se është thjesht një emërim personal i Ramit dhe se s’ka marrëveshje me LSI-në. Edhe pse marrëveshje të shkruar mbase nuk ka mes dy partive, por fakti është që ato janë në një aleancë me njëra-tjetrën, jo vetëm në nivel lokal por edhe në nivel qëndror. Madje prej sot dy partitë e opozitës nisin të zhvillojnë mbledhje të përbashkëta të grupeve parlamentare.
©ArgjiroLajm.net