E perditshmja greke Kathimerini në një artikull kushtuar, ngërçit të krijuar mes Greqisë dhe Shqipërisë, për çështjen e Fredi Belerit, shkruan se Athina zyrtare po pret hapin e radhës, nga kryeministri Edi Rama. Në artikullin e gazetës greke përmendet edhe çështja e detit, e ngelur pezull, ndërsa theksohet se diplomacia shqiptare, si gjithmonë, bëri përgjegjës për vonesat, Presidentit.
Greqia është në pritje te hapit të radhës, së kryeministrit Edi Rama, lidhur me ngërçin e krijuar në bashkinë e Himarës, pasi kryebashkiaku I zgjedhur, Fredi Beleri, ende nuk lejohet të bëjë betimin. Kështu e nis artikullin e përditshmja greke, Kathimerini, e cila shkruan se Athina është në pritje të nismës së radhës të qeverisë së Edi Ramës për të kapërcyer konfliktin në marrëdhëniet greko-shqiptare, e cila është shkaktuar kryesisht nga ndalimi i zgjatur i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit. Gazeta greke thekson se Kryeministri e ka anuluar nismën për të zëvendësuar Jorgo Goron, me një kryebashkiak tranzitor, të emëruar prej tij.
Pak para Krishtlindjeve, zoti Rama kishte shpallur efektivisht shkarkimin e kryebashkiakut në detyrë Jorgo Goro, i cili është humbësi i zgjedhjeve të majit të kaluar. Nga zyra e Goros fillimisht u bë e ditur se ai synonte të largohej nga posti, ndërsa zoti Rama kishte në sy tri zgjidhje. Megjithatë, nga njëra anë, vështirësia e pranimit të propozimit të Ramës nga tre personat dhe kryesisht letra e zotit Belerit nga burgu se kushdo që merr përkohësisht postin e kryetarit të bashkisë, duhet të jetë një nga këshilltarët bashkiakë që vijnë nga koalicioni opozitar që fitoi zgjedhjet e majit të 2023, dhe ” ca më tepër që ai nuk mund të jetë nga një zonë tjetër jashtë komunës së Himarës”, efektivisht e anuluan nismën e Ramës.
Më tej, e përditshmja e shtetit helen jep një përmbledhje të sfondit diplomatic ku po zhvillohen ngjarjet, duke iu referuar edhe deklaratave të ministrit të jashtëm Igli Hasani, I cili u shpreh se po zhvillohen negociata, mes palëve për të gjetur një zgjidhje”. Kathimerini, ndalet edhe te marrëveshja e detit me Greqinë, që pritet të shkojë në Hagë, duke thënë se ministri I jashtëm justifikoi lenien pezull të kësaj çështje, me mungesën e autorizimit nga ana e presidentit të republikës.
Kjo është sigurisht një manovër e vazhdueshme e diplomacisë shqiptare, e cila vonesat ia atribuon presidentit aktual të vendit”, përfundon artikullin Kathimerini.