Dje në ekranin e Report TV, demokrati “rebel” Ibsen Elezi lëshoi akuza të forta si ndaj partisë së tij, ashtu edhe ndaj aleates opozitare të PD-së, LSI-së së Monika Kryemadhit. Elezi kishte akuzuar të dielën në Kuvendin e PD-së se brenda radhëve të kësja partie ka deputetë të korruptuar që duhen larguar dhe në Report TV shkoi më tej, duke akuzuar Flamur Nokën për pasuri të paligjshme, si patja e një shtëpie me vlerë 450 mijë euro. Gjithashtu Elezi akuzoi LSI-në se në zgjedhjet e fundit në Kukës, ka blerë 13% të votave përmes një biznesmeni të ardhur enkas nga Gjirokastra.
Elezi e identifikoi personin në fjalë me nofkën “Colja”. Shqiptarja.com mëson se biznesmeni në fjalë në të vërtetë quhet Apostol Goci, një minoritar grek nga zona e Gjirokastrës, i cili në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton si ortak apo bashkëpronar në disa biznese të rëndësishme. Goci është një sipërmarrësh kryesisht në fushën e karburanteve, që ka aksione edhe në kompleksion e njohur Taiwan në Tiranë, pronari i së cilës është Besnik Sulaj, i njohur ndryshye si “Beso i Tajvanit”.
Goci është gjithashtu ortak me Sulajn edhe në disa biznese të tjera sikurse mund të shihet nga ekstraktet historike më poshtë. Partia Demokratike e ka akuzuar shumicën qeverisëse se i vodhi zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Një akuzë e tillë është bërë shpesh edhe nga vetë LSI. Por kësaj here akuzat për vjedhje votash bëhen brenda vetë radhëve të opozitës. Ibsen Elezi, ish-kryetar i PD-së në Kukës, një njohës i mirë i zgjedhjeve në këtë zonë, së fundmi akuzoi se vetë LSI bleu vota në këtë qytet përmes Gocit, çka sipas tij ishte absurde sepse qyteti veri-lindor është një bastion historik i së djathtës./Shqiptarja.com