Blendi Gonxhe, ministri i Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit në Republikën e Shqipërisë ka deklaruar se do t’i kushtojë vëmendje maksimale menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Ai nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook pranoi se është një proces sfidues, por se do të jetë transparent.
“Në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (për shkak të funksionit), siguroj opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për mire administrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kombëtare”.
Ai ka vlerësuar gjithashtu rolin e AADF-së në bashkëpunimin e shkëlqyer për arritjen e parakushteve optimale në mbështetjen e BMF për investimin e çmuar në përthithjen e ekspertizës më të mirë bashkëkohore, teknike e profesionale, të denjë për rëndësinë e pasurisë botërore në fjalë.
Reagimi i tij vjen pasi, Ina Zhupa – deputete e Partisë Demokratike – tha se nënkryetari i Bordit të Drejtorëve të koncensionarit të Butrintit, Martin Mata, ka thënë disa të pavërteta.
Zhupa ka ravijëzuar se Mata ka mashtruar publikisht.
“Të pavërtetat e intervistës së Martin Matës janë të shumta, janë aq shumë sa nuk e kuptoj si i doli koha në 4 minuta sinkron”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ai ka mashtruar publikisht në intervistën me Zërin e Amerikës se “raporti i UNESCO-s nuk sulmon dhe nuk bën kritika… jo vetëm bën kritika, por e kundërshton dhe përmend AADF specifikisht ku Mata është CEO, si të papërshtatshme, që nuk ofrojnë zgjidhjet që duhet për mbrojtjen e Vlerave të Jashtëzakonshme Universale të Butrintit”.
Sipas deputetes, Mata duhet të jepte dorëheqjen dhe jo të jepte intervistë “sepse ka marr përsipër të bëj një punë që nuk e kupton dhe kështu na dëmton pasurinë tonë të mbrojtur UNESCO”.
Ndër të tjera, Zhupa i është drejtuar Matës duke i thënë se “nuk do e bësh dot Butrintin si Davosi me hotele, me qendra biznesi, e me restorante e salla konferencash”.
Mata tha se “raporti i UNESCO-s nuk sulmon dhe nuk bën kritika për Planin e Menaxhimit të Butrintit, por shpreh një shqetësim të drejtë për dy çështje: për menaxhimin e gjithë sipërfaqes së Parkut Kombëtar të Butrintit dhe për dakordësimin midis autoriteteve shqiptare dhe të UNESCO-s, për çdo ndryshim të tij”.
Nga ana tjetër, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Trashëgiminë Botërore, njohur edhe si UNESCO, themelimi i vetëm një fondacioni nuk mundet të përmbushë rekomandimet për një menaxhim të integruar të parkut të Butrintit.
Ndaj, organi i lartë i OKB-së i ka rekomanduar autoriteve shqiptare që të ruajnë autoritetin tërësor të kësaj pasurie botërore dhe jo thjesht të jenë pjesë e këtij autoriteti.
Me një vendim ende të pa marrë nga Gjykata Kushtetuese shqiptare lidhur me rastin, kjo e fundit i ka kërkuar Qeverisë edhe raportin e UNESCO-s, pikërisht lidhur me çështjen.
Ky raport ka qenë i përgatitur që në tetor të vitit 2023, po ishte Qeveria, ajo e cila nuk ka dhënë pëlqim për publikimin e tij.
Ndër arsyet, mund të jenë edhe shqetësimet që raporti ka ngritur për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve, ku në një pjesë po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Raporti po ashtu paraqet edhe kritika për rishikimin e kufijve të Parkut Kombëtar të Butrintit pa e vënë fillimisht në dijeni UNESCO-n për këtë veprim, si edhe për mos sigurimin e menaxhimit të integruar të Butrintit.
Kjo e fundit ka qenë kërkuar në misionet e mëparshme të organizatës, të cilat kanë monitoruar Butrintin.
Misioni i UNESCO-s thotë në raport se “përveç krijimit të Fondacionit të ri të Menaxhimit të Butrintit, asnjë propozim tjetër për sigurimin e zbatimit të Planit të Menaxhimit nuk u prezantua gjatë misionit nga autoritetet shqiptare”.
“Vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet e misioneve të mëparshme, të Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe vetë Planit të menaxhimit për një menaxhim të integruar të Butritnit”, shkruhet më tej.
Në dhjetor 2023, ishte deputetja e opozitës, Ina Zhupa, ajo e cila ka deklaruar se UNESCO ka finalizuar dhe transmetuar tek autoritet shqiptare një raport kundër koncesionit të Butrintit.
Sipas saj raporti “që vjen si provë i gjithë kundërshtimeve që ka UNESCO kundra modelit me koncesion të Butrintit”, i ishte fshehur Gjykatës Kushtetuese.