Bylisi tashmë pret vetëm “vërshëllimën” për të zbritur në fushën e stërvitjes dhe të nisë fazën përgatitore verore. Mallakastriotët morën pushimet në fundin e majit, teksa lojtarët e huaj janë larguar drejt shteteve të tyre, disa për pushime, e për t’u rikthyer e disa të tjerë për të mos u rikthyer më në “Adush Muçaj”, për efekt të mbarimit të kontratës.
Ballshiotët duket se javën që vjen do të zbresin në fushën e blertë, madje, jo më kot këto ditë drejtuesit kanë inspektuar gjendjen e terreneve të stërvitjes, kompleksin “Bylis”, por edhe stadiumin “Adush Muçaj”. Janë shfaqur edhe disa nga lojtarët afrikanë në Ballsh, të cilët u kanë dhënë fund pushimeve për të qenë gati, ndërsa pritet që në ditët në vijim e deri në fundjavë të vijnë edhe të tjerët siç janë: Bruno, Kamara, Peralta. Ballshiotët kanë një organikë të populluar, madje nuk mungojnë si lojtarët e rinj të talentuar, ashtu edhe ata me eksperiencë që janë nën kontratë.
MERKATO – Bylisi pritet që të afrojë 5-6 lojtarë, të paktën këtë synojnë drejtuesit, të cilët synojnë përforcime në portë, në mbrojtje në qendër por edhe në mesfushë në qendër dhe në sulm. Të paktën me largimet e deritanishme bilanci është ky. Nëse më pas do të ketë të tjera largime apo shitje lojtarësh, mbetet për t’u vlerësuar edhe situata e afrimeve.
Ashtu si një sezon më parë, edhe këtë verë, ballshiotët pritet që të organizohen herët, me synim që të ndërtojnë një grup akoma më të fortë nga një sezon më parë. Avantazhi është grupi, pasi baza e skuadrës është dhe në çdo repart ka kualitet e cilësi. Nga sa bëhet e ditur, në të njëjtën periudhë që do të zbresë në fushë skuadra e parë, do të nisë riorganizimi edhe për skuadrën Bylis “B” që do të marrë pjesë në Kategorinë e Dytë.