Emisioni “Stop” ka udhëtuar drejt qytetit të Fierit për problematikën e edukatores Diana Xhaxhaj, e cila prej dy vitesh del e para në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Pavarësisht kësaj, ajo tregon se megjithëse punon prej 16 vitesh si edukatore në Rroskovec dhe ka dalë e para në portal për qarkun e Fierit dhe e pesta në nivel kombëtar, nuk i bëjnë lëvizjen paralele që Diana kërkon. Pasi punoi në fshatin Portëz, Diana nuk u njoftua për vendet vakante edhe pse e meritonte.
Denoncuesja: Kam punuar edukatore në Bashkinë Rroskovec prej 16 vitesh. Hyra në portal për të më ofruar mundësitë në kopshtet e Bashkisë Fier. Dal e para në 3 ZA-të ku konkurroj, por nga Bashkia Fier has vështirësi në zbatimin e emërimeve nëpërmjet portalit. Bashkia Fier, vitin e kaluar më ofroi mundësinë për të zgjedhur midis 4 kopshteve dhe unë zgjodha kopshtin Portëz, por jo atë që unë meritoja si e para në portal.
Gazetarja: Pra, ju keni një njoftim se nga vetë bashkia është kontaktuar në lidhje me vendet vakante në Bashkinë e Fierit, ju zgjodhët kopshtin në Portëz. Më pas, çfarë ndodhi?
Denoncuesja: Unë hyj përsëri në portal sepse nuk mendoj se ai është vendi që unë meritoj si e para në portal, përvojën dhe gjithçka që unë kam në dosjen time që është vlerësuar. Paraqes kërkesa në bashkinë Fier për t’u punësuar në hapësirat pranë kopshteve brenda në qytet dhe nuk më jepet kjo e drejtë për arsyen se jam e punësuar në kopshtet në varësi të bashkisë.
Gazetarja: Ndërkohë ka pasur hapësira të lira në kopshtet në qytet?
Denoncuesja: Jam e sigurtë që ka pasur hapësira dhe nuk më janë ofruar. Nuk jam njoftuar, siç jam njoftuar nga bashkia Rroskovec, siç jam njoftuar nga bashkia Patos nëpërmjet e-mailit dhe as nga një telefonatë, atëherë pse shërben portali, pse unë duhet të studioj përsëri dhe përsëri dhe të mos më jepet ajo që meritoj?!
Gazetarja: Po të shohim dosjen tuaj, shohim se përveç diplomave ju keni kualifikimin me A shkëlqyeshëm?
Denoncuesja: Këtë ia kam vënë në dijeni dhe juristëve të bashkisë dhe a ka vlerësim më të madh se 10-vjeçar i shkëlqyeshëm?! Unë kërkoj emërimin tim në kopshtin Nr.4 sepse ajo hapsirë më takon mua si e para e portalit.
Prej shumë kohësh bën kërkesa për zhvendosje, por merr përgjigje nga Bashkia e Fierit që është e punësuar. Diana thotë se kjo bëhet për shkak të bindjeve politike pasi ka qenë anëtare Këshilli e Partisë Demokratike.
Denoncuesja: Pse nuk po emërohem unë e para dhe po emërohet e pesta?
Juristja: O Diana! Të lutem! Pse m…?
Denoncuesja: Më vjen keq! Po unë jam e detyruar. Këtu duhet të paraqitem!
Juristja: A e ke bërë një kërkesë?
Denoncuesja: Kërkesa kam bërë. Është e disata kërkesë, që unë e bëj për atë kopsht (kopshtin Nr.4) dhe sorrollatem. Si ka mundësi që emërohet e pesta dhe unë e para jo? Më thuaj, kujt duhet t’i drejtohem?
Juristja: Po ti e di vetë kujt duhet t’i drejtohesh, o Diana!
Denoncuesja: Kujt?
Juristja ikën…
Denoncuesja: Kjo është përgjigja juaj?
Juristja: Nuk mund të vish tek mua me tendencë!
Denoncuesja: Më vjen keq! Nuk vij me tendencë ndaj jush!
Juristja: Mua kështu më duket!
Juristja: Do e marrësh një përgjigje!
Denoncuesja: Kur do e marr një përgjigje? Kur të emërohen dhe ca të tjera? Kur emërohet e pesta dhe e para rri?
Juristja: Më vjen keq!
Problematika e zonjës Diana është pikërisht me Bashkinë e Fierit pasi është kjo e fundit që nuk e ka zhvendosur zonjën Diana në një kopsht në qytetin e Fierit edhe pse prej 2 vitesh, zonja Diana është e para në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Emisioni “Stop” u drejtua në Bashki, por kryetari i Bashkisë nuk ndodhej aty. Gazetarja tentoi të komunikojë me kryetarin nëpërmjet telefonit, por nuk e hapi.
U provua hallka e fundit e kërkesës zyrtare dhe përgjigja që vjen nga Bashkia e Fierit është e njëjta: Që zonjës i është ofruar pozicioni i mësueses ndihmëse, edhe pse zonja ka dalë në vendin e parë në portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe gjithashtu është me kalifikime të shkëlqyeshme. Thuhet se në Kopshtin Nr. 4 që zonja ka pretenduar për vend pune, nuk ka hapësira të lira, por do të informohet gjë që deri sot nuk ka ndodhur./ Tv Klan