Shefja e Shërbimit të Pediatrisë Infektive në QSUT, Prof. Dr. Gjeorgjina Kuli, bëri të ditur se deri më tani, nga fillimi i pandemisë në Shqipëri, janë kuruar nga Covid 70 fëmijë, ndërsa vijojnë të jenë të shtruar në spital 10 fëmijë të infektuar.
Teksa theksoi se fëmijët e kalojnë në formë më të lehtë koronavirusin, pranoi që ka pasur dhe raste të vështira. Në një intervistë për ABC këtë të mërkurë, doktoresha tha se nga marsi e deri më tani ka pasur një jetë të humbur nga Covid të një fëmije 16 muajsh dhe po ashtu një tjetër i cili ka qëndruar për disa ditë i intubuar por fatmirësisht tashmë është mirë.
“Kemi 10 fëmijë të shtruar tashmë me Covid por që nga fillimi e deri më tani numri i fëmijëve me Covid të shtruar në spital shkon deri në 70 fëmijë. Kemi parë që forma të rënda koronavirusi ka bërë dhe të moshat e reja dhe e njëjta gje vlen të thuhet dhe te fëmijët me bronko-pneumoni, por dhe te fëmijët me sëmundje të ndryshme metabolike, me probleme të ndryshme gjenetike dhe me probleme zemre. Kemi pasur një rast fataliteti te një fëmijë me 16 muaj.
Në oksigjen janë futur të gjithë moshat duke filluar nga një muajsh ne kemi hospitalizuar deri në 14 vjeç, ne kemi pasur dhe një fëmijë të intubuar në repartin e terapisë infektive dhe fatmirësisht pati ecuri të mirë dhe u shërua. Duhet të kemi parasysh se rasti rastit nuk i ngjan, ka një udherrëfues ka disa insufiçenca bazë por nuk ka një preparat për të menaxhuar. Terapia që përdoret te fëmijët është e njëjtë dhe me të rriturit, ne përdorim antibiotiko terapinë, etj, ka dhe disa antibiotikë që ne nuk i përdorim në rastet e fëmijëve”, ka thënë doktoresha.
Doktoresha ka dhënë detaje në lidhje me shenjat klinike që koronavirusi lë te fëmijët dhe ka theksuar se është e rëndësishme që prindërit të jenë të kujdesshëm ndaj shenjave që shfaqin fëmijët siç është temperatura apo vështirësitë në frymëmarrje shenja për të cilat duhet të konsultohemi me mjekun përkatës.
“Deri më tani dhe pse është pak shpejt për të folur, sëmundja nuk le pasoja te fëmijët. Në këtë situatë një shqetësim i vogël duhet të na shkojë mendja mos jemi të prekur nga Covid, pasi nuk ka një shenjë të veçantë dalluese. Humbja e nuhatjes dhe e shijes te fëmijët deri në 1 vjeç janë të padallueshme shenjat e tjera janë si të gjithë viruset respiratore. Nëse fëmija ka temperaturë ju duhet tu shkojë mendja se është Covid. Deri më tani rastet që i kemi pas janë raste të vatrave familjare. Nëse maska themi se është e detyrueshme te fëmijët 11 vjeç është e rëndësishme që nëse kemi një fëmijë që është pjesë e një kontigjenti më të rrezikuar për tu prekur mund t’ja përdorim maskën në ambiente të hapura, vaksina e gripit është një tjetër element i rëndësishëm mbrojtës. Ushqimet e shumëllojshme, dhe përdorimi i vitamino terapisë.
Nga eksperienca deri më tani ka një prekje të lehtë të mushkrive por që kalon njëkohësisht me infeksionin, dhe nuk lë pasoja apo çrregullime që mund të behën shkak për sëmundje të tjera. Mushkëria është e para që preket, nga temperatura dhe nga pamjaftueshmëria e furnizimit me oksigjen. Kemi ndryshim të kripërave në organizëm që një sjell pasojat e dëmtimit të tjetrës.
Të gjithë moshat nga një muajsh në 12 vjeç. Fëmijët janë të shoqëruar nga nënat dhe ne mund të bëjmë dhe nënën nëse është me Covid, por kryesisht nënat që kemi pas aty kanë qenë asimptomatike. Në qoftë se fëmija ka një temperaturë mbi tre dit dhe nuk dihet arsyeja, nëse fëmija s’ka bajame apo infeksion urinar është një indikacion për tu konsultuar me mjekun, shfaqja e problemeve në frymëmarrje, se simptomat janë të njëjta si te të rriturit. Përveç tamponit dhe testit të shpejtë nuk ka analizë tjetër, por me raste mund të ndodhë që format asimptomatike mund të mos krijojnë dhe antikorpe. Momentalisht ne kemi dy reparte, njëri është me 12 shtretër kurse tjetri 15 shtretër por që normalisht kemi dhe mundësi për rritjen e këtij kapaciteti. Një pjesë e mirë e fëmijëve asimptomatik ndiqen dhe në rrethe”, e ka mbyllur fjalën e saj doktoresha.