Specialistët dhe punonjësit e Sektorit të Kulturës Kombëtare Sarandë ditët e fundit kanë kryer pastrimin nga vegjetacioni të monumenteve, që ndodhen në Kompleksin Islamik të Xher Mëhallës në lagjen Lejla Malo në Delvinë.
Puna u përqendrua në pastrimin jo vetëm të vegjetacionit, por edhe mbetjeve të ndryshme urbane duke e vënë në dispozicion jo vetëm të vizitorëve, por edhe besimtarëve që kryejnë ritet fetare në këtë Monument të rëndësishëm të rajonit Sarandë – Delvinë.
Monumentet e kulturës dhe sitet arkeologjike të Shqipërisë çdo ditë e më shumë po vizitohen nga turistë vendas e të huaj, të cilët kanë interes të mësojnë për historinë dhe kulturën e vendit tonë.
Mbajtja pastër e ambienteve rreth monumenteve, ashtu si në fillim të sezonit, por edhe tani vijon të jetë në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.
Kompleksi Islamik i Xher Mëhallës i vitit 1682 i vetmi për nga arkitektura në territorin shqiptar, është monument kulture i kategorisë së parë. Xhamia e kompleksit është një ndër të parat të ndërtuara në Shqipëri. Kompleksi islam Kompleksi nis me Çesmën e Llutroit, një monument i ndërtuar me harqe guri dhe një sistem kompleks kanalizimesh që furnizonin me ujë hamamin, medresenë dhe xhaminë.









