Deputetja socialiste Sara Mila ka zbuluar më shumë detaje lidhur me mbledhjen e Grupit Parlameentar të PS, të mbajtur ditën e sotme. Sipas saj qeveria dhe Partia Socialiste e respoektojnë protestën dhe çmojnë lirinë e fjalës por bëri të qartë se dorëheqja e kryeministrit apo zgjedhjet e reja nuk mendohen.
“Megjithatë, nëse ka diçka për të cilën i gjithë grupi parlamentar është në unison, është fakti se padiskutim respektojmë protestën dhe çmojmë shumë lirinë e fjalës dhe veprimit në të. Por në asnjë moment në fakt nuk e shohim këtë protestë siç shumë herë edhe është diskutuar në media apo është folur në fakt edhe në studio të ndryshme televizive, ku mund të jetë dorëheqja një opsion apo ku mund të jenë zgjedhjet e parakohshme një opsion tjetër”, është shprehur Mila në emisionin “Review” në Euronews.
Teksa më tej ka shtuar se premtimi i PS ndaj Shqipërisë është BE-ja, edhe për këtë kanë marrë 83 mandate.
Pjesë nga fjala e Sara Milas: “Ne në fakt ditën e sotme vijmë nga një ditë ku kemi pasur një mbledhje të zgjeruar në fakt, të përmuajshme, siç është bërë tashmë traditë. Çdo muaj ne bëjmë një mbledhje më të zgjeruar sesa ato që zakonisht i bëjmë çdo fillim jave me drejtuesin e grupit tonë, me zotin Taulant Balla. Patjetër që nuk mund të ishte jashtë vëmendjes ditës së sotme edhe protesta. Ndamë gjithçka me njëri-tjetrin, mendime, ide. Ishte një diskutim shumë i hapur ku gjithsecili pati momentin e vet për të thënë të tijën.
Megjithatë, nëse ka diçka për të cilën i gjithë grupi parlamentar është në unison, është fakti se padiskutim respektojmë protestën dhe çmojmë shumë lirinë e fjalës dhe veprimit në të. Por në asnjë moment në fakt nuk e shohim këtë protestë siç shumë herë edhe është diskutuar në media apo është folur në fakt edhe në studio të ndryshme televizive, ku mund të jetë dorëheqja një opsion apo ku mund të jenë zgjedhjet e parakohshme një opsion tjetër.
Ne jemi në mes të një procesi të cilit ia kemi premtuar shqiptarëve të paktën një vit e pak më parë kur morëm edhe 83 mandate. Jemi në mes të një procesi negociatash me Bashkimin Europian. Gjithçka po shkon mirë dhe mbarë në atë aspekt.
Ju vetë e keni parë progresin e Shqipërisë, jo vetëm në fjalë në fakt që mund të themi ne si përfaqësues të Partisë Socialiste të mazhorancës, por faktike ato që vetë Bashkimi Europian thotë. Jemi në gjysmë të rrugës për të mbyllur disa prej kapitujve më të rëndësishëm dhe po vrapojmë drejt targetit që të mund t’i mbyllim ato të gjitha në vitin 2027. Prandaj nuk shohim realisht arsye për të ndalur këtë hap, për të ndalur këtë sfidë që kemi me veten, me historinë e për të cilën në fakt shqiptarët na besuan”









