Detaje tronditëse kanë dalë për vrasjen e pronarit të hotelit në Greqi, shqiptari, Indrit Lleshi. Lefteris Gavrilis, avokati i familjes së viktimës, hotelierit Nikos Halaris ka ngritur dyshime mbi mënyrën e vrasjes dhe motivin e ngjarjes së rëndë. Sipas mediave të huaja avokati është shprehur se është shumë e vështirë që një person në pak kohë, pa bashkëpunëtor të digjte 69-vjeçarin vetëm me një shishe vodka. Po ashtu lidhur me motivin se shqiptari e ka vrarë pronarin, avokati thotë se kjo është e dyshimtë dhe se ata të dy takoheshin bashkë çdo ditë.
Ai ka thënë ndër të tjera se në momentin që u largua nga hoteli shqiptari për të fshehur gjurmët mori me vete cdo gjë që kishte prekur, leckën, një kovë dhe shufrën prej hekuri që goditi 69-vjeçarin. I riu mbylli të gjitha dyert e hotelit dhe çelësat i hodhi në det. Pas krimit, autori u përpoq të mbulonte gjurmët e tij dhe të digjte trupin e viktimës dhe pretendon se e bëri atë duke e lyer me vodka dhe pije të tjera alkoolike.
“Nikos kishte një ndërtesë tjetër pak metra larg hotelit që po e ndërtonte dhe aty afër punonte edhe autori, ata takoheshin cdo ditë. Tani çfarë e çoi këtë njeri të shkonte dhe t’i merrte jetën, askush nuk mund ta dijë dhe nuk mund të jetë kjo sasi e vogël. Kur mora përsipër çështjen, unë thirra ekzaminuesin mjekësor dhe kur e pyeta nëse kishte shenja të goditjes me thikë, apo diçka tjetër, ai më tha se trupi i viktimës është djegur shumë, është djegur aq thellë në trup sa nuk mund të zbulohen goditjet. E vetmja gjë që gjeti dhe mund të thoshte ishte se ai kishte një goditje në kafkë, domethënë kishte një hapje në kafkë. Kufoma u gjet brenda recepsionit, që do të thotë se e tërhoqi zvarrë për 7-8 metra në mënyrë që ta sillte në këtë pikë. Ju nuk keni nevojë të jeni avokat për të kuptuar që alkooli nuk mund të shkaktojë djegien e përshkruar. Ai donte të zhdukte të gjitha gjurmët e krimit, ai mori atë që kishte prekur, një leckë, një kovë, etj. Ajo që më befasoi ishte se autori kishte mbyllur recepsionin, kishte mbyllur të gjitha dyert dhe kishte hedhur çelësat në det” deklaroi avokati.
Lleshi akuzohet se ka ekzekutuar 62-vjeçarin për shkak të një borxhi prej 200 eurosh. mediat greke bëjnë me dije se pas 10 orësh marrje në pyetje, Lleshi e ka pranuar vetë se është autori i ngjarjes. 20 vjeçari ka thënë para agjentëve se kishte kërkuar prej pronarit grek të hotelit në të cilin punonte, shumën që ai i kishte borxh, pasi donte t’ia dërgonte të ëmës dhe tre motrave të tij në Shqipëri, por viktima e ka ofenduar dhe në vazhdim e ka kërcënuar me një shishe.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 27 nëntorit në orën 09:00. Vrasja e biznesmenit në atë mënyrë u konsideruar shumë serioze nga Departamenti i Policisë, ndaj u bënë të gjitha përpjekjet e mundshme për të kapur autorin e krimit.