Dinamo e ka mbyllur kampionatin e këtij sezoni në vendin e katërt, ashtu si edhe sezonin e shkuar. Sfida e fundit në “Elbasan Arena” ndaj Egnatias, ishte vetëm për statistikë për blutë, të cilët u mundën me rezultatin 2-0 duke qenë kështu përcaktuese në titullin kampion që fituan rrogozhinasit.
Pas ndeshjes së zhvilluar në “Elbasan Arena”, më në fund ka pasur pak frymëmarrje për të besuarit e Dajës duke qenë se skuadrës i është dhënë një pushim 1 javor. Lojtarët pritet të rikthehen në fushë në datën 8 ose 9 qershor, aty ku do edhe do të nisin zyrtarisht përgatitjet për ndeshjet e Europës, ku fillimisht do të ketë grumbullim në Tiranë e më pas, me shumë gjasa ekipi do të largohet për fazë përgatitore, ku gjasat janë që ekipi të akomodohet në Ohër, aty ku ishte edhe vitin e shkuar.
RINOVIMET- Nëse lojtarët janë duke shijuar disa ditë pushim, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për stafin drejtues dhe atë teknik që kanë nisur menjëherë nga puna për të forcuar skuadrën. Natyrisht, prioriteti është rinovimi i kontratave të lojtarëve që janë në përfundim të saj dhe këtu bëhet fjalë për lojtarë që bëjnë pjesë në planet e skuadrës. Për të vijuar me këtë projekt, Dinamo e ka nisur nga kapiteni Bruno Dita.
“Panorama Sport” ka mësuar se palët kanë rënë dakord parimisht për rinovimin e kontratës dhe pasi lojtari të kthehet nga pushimet, do të firmoset kontrata e re. Në këtë mënyrë, drejtuesit e Dinamos sigurojnë një nga lojtarët që ka qenë protagonist absolut për këto vite me fanellën blu, teksa mban edhe shiritin e kapitenit. Për Ditën, ka pasur interesime nga klube të tjera në Superiore, por duket se Dinamo është “shtëpia” e mesfushorit, i cili nën drejtimin e Dajës është kthyer në një qendërmbrojtës dhe ndër më të dalluarit në Superiore, pavarësisht dëmtimeve që e kanë shqetësuar disa herë.
TË RREZIKUARIT- Veç Ditës që duket se do të vazhdojë të jetë dinamovit edhe në vijim, drejtuesit kanë një punë të madhe për të bërë duke qenë se shumë lojtarë janë në fund të kontratës, megjithëse disa prej tyre kanë edhe opsionin e rinovimit. Kështu, portieri Aldo Teqja është në fund të kontratës me Dinamon dhe gjasat janë të mëdha që portieri të rinovojë duke qenë protagonist absolut me blutë. Në fund të kontratës është portugezi Teikseira i cili firmosi për një vit me Dinamon dhe ashtu si Teqja, edhe Teikseira do të rinovojë. Në të njëjtën rrugë, është edhe Bekim Maliqi. Mbrojtësi që këputi ligamentin në janar, pritet të jetë gati për fillimin e sezonit të ri dhe drejtuesit e klubit duan ta mbajnë duke qenë se ishte ndër më të dalluarit gjatë kohës që luajti.
E paqartë është situata me Dejvi Bregun, Naser Alijin dhe Lorenco Vilën. Të tre lojtarët janë në fund të kontratës dhe drejtuesit po tentojnë t’i bindin për të rinovuar. Fakti se ndaj tyre ka oferta nga klube e të tjera, e vështirësojnë pak negociatën megjithatë, drejtuesit e Dinamos janë të bindur se palët janë në rrugën e duhur për të rinovuar. Ndryshe është situata për Ledio Beqjen i cili ka qenë huazim me të drejtë blerje, por klubi duket se ka vendosur që të mos e shfrytëzojë të drejtën për të blerë kartonin e tij. Sakaq, Jorgo Meksi që është në fund të kontratës, me shumë gjasa do të jetë një tjetër lojtar i larguar në verë, teksa Qardaku pritet të rinovojë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








