Egnatia po pret rikthimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të saj. Fernando Medeiros ende nuk ka zbritur në fushë këtë sezon në kampionat, por pas pushimit braziliani pritet të jetë gati për t’u bashkuar me skuadrën dhe për të nisur gradualisht aventurën e tij në këtë edicion.
Fantazisti i kampionëve është një prej atyre lojtarëve që mund t’i japë Egnatias diçka ndryshe, teknikë, kreativitet dhe aftësi për të krijuar në momentin kur hapësirat janë të pakta. Fernando është nga ata futbollistë që nuk kanë nevojë për shumë prekje për të ndryshuar një aksion dhe pikërisht kjo e bën një profi l të veçantë në skuadrën e Nevil Dedes.
MUNGESA – Deri tani, Fernando ka qenë jashtë për shkak të një problemi muskular. Në sfi dën e parë të kampionatit ndaj Tiranës ishte në stol, por nuk u aktivizua, ndërsa në katër ndeshjet pasuese nuk ishte pjesë e listës së të grumbulluarve. Pra, në pesë javët e para, Egnatia nuk ka pasur realisht në dispozicion një prej lojtarëve të saj më kreativë. Skuadra ka ditur të ecë përpara edhe pa të, por për Deden rikthimi i brazilianit është një mundësi për të shtuar cilësi në repartin ofensiv. Rikuperimi po ecën mirë dhe pritshmëria është që pas pushimit Fernando të jetë gati. Fillimisht, do të jetë e rëndësishme që ai të marrë minuta gradualisht, për të rifi tuar ritmin dhe për t’u kthyer në nivelin që kërkon trajneri.
FANTAZIA – Ajo që e dallon Fernandon është aftësia për të luajtur me topin dhe për të kërkuar zgjidhje individuale. Në një ekip që ka shumë lëvizje në fazën ofensive, ai mund të shërbejë si një pikë krijuese, sidomos në ndeshjet ku kundërshtari mbyllet dhe nuk lë shumë hapësira. Egnatia ka treguar në javët e para se mund të prodhojë gola nga disa lojtarë, por një futbollist si Fernando i shton skuadrës edhe një tjetër dimension. Ai mund të luajë mes linjave, të krijojë për shokët e skuadrës apo të kërkojë vetë goditjen. Rikthimi i tij nuk është thjesht kthimi i një lojtari nga dëmtimi. Është rikthimi i një profi li që Egnatia nuk e ka pasur në dispozicion në këtë fi llim sezoni.
EUROPA – Dhe momenti në të cilin pritet të rikthehet e bën edhe më interesant. Egnatia nuk ka vetëm kampionatin përpara, por edhe fazën e grupeve në Ligën e Konferencës. Për një skuadër që do të luajë shumë ndeshje, çdo alternativë cilësore merr rëndësi. Fernando mund të jetë një prej atyre lojtarëve që Dede e përdor për të ndryshuar ritmin e ndeshjeve dhe për t’i dhënë më shumë fantazi skuadrës.
Në Europë, ku përballjet do të jenë të ndryshme nga ato të kampionatit, aftësitë e tij teknike mund të jenë një armë shtesë. Egnatia e ka nisur sezonin pa Fernandon, por tashmë është pranë momentit kur mund ta ketë sërish në dispozicion. Për një lojtar që ende nuk ka pasur mundësinë të tregojë asgjë këtë sezon, pritja është e veçantë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








