“Duhet të bëjmë një aleancë qytetare kundër krimit, korrupsionit dhe mafies”.
Kështu u shpreh Dom Gjergj Meta, i ftuar në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN.
“Në Itali, mafia u luftua jo vetëm nëpërmjet policisë, por edhe me një aleancë qytetare, ku u thuhej fëmijëve që të jesh mafioz është gjë e keqe. Të kultivosh drogë për t’u pasuruar është gjë e keqe. Fatkeqësisht, fëmijët e sotëm këto gjëra i shohin si modele. Shohin shokët që shkojnë e rrinë ca muaj në shtëpi bari e kthehen me makina të bukura, dhe duan të shkojnë edhe vetë”, tha Dom Gjergj Meta.
“Të gjithë bashkë, ne duhet të bëjmë aleancën e së mirës. Të gjithë kemi nevojë të përmirësohemi, qoftë edhe mediat të cilat kanë një mision të jashtëzakonshëm, duhet të jenë pjesë e kësaj aleance për përmirësimin e shoqërisë sonë”, shtoi më tej Dom Gjergj Meta.
Dom Gjergj Meta komentoi edhe ngjarjen e rëndë në shkollën “Fan Noli”, ku pas një sherri mbeti i vrarë një 14-vjeçar.
Sipas tij, sherret në këtë moshë janë normale, por “e gjithë çështja është se çfarë qasje kanë të rriturit”.
“Ngjarja e fundit është e rëndë. Unë nuk kam fëmijë, por me moshën që kam ai fëmijë mund të kishte qenë fëmija im. Është një dhimbje që nuk ia heq dot njeri atyre prindërve. Nuk është reaguar me kohë. Unë mbaj mend kur isha 13-14 vjeç, kam bërë sherr me një shokun tim. Në një moment ai nxjerr thikën, por falë Zotit ishte një mësues aty afër dhe nuk ndodhi gjë. Unë direkt shkova te babai im dhe i tregova çfarë më kishte ndodhur. Babai më mori dhe shkuam te babai i atij djalit. Dy baballarët tanë ishin rritur bashkë. Na vunë përpara dhe na thanë: “Nuk keni turp? Ne kurrë nuk kemi bërë fjalë, ndërsa ju të dy bëni këtë? Tani do të pajtoheni me njëri-tjetrin dhe nuk duam që kjo gjë të ndodhë më kurrë në familjet tona”. Gjithmonë e kam mbajtur mend këtë episod. Sherri ndodh, sepse në atë moshë mendon se ke botën në dorë, të duket vetja i pavdekshëm, por e gjithë çështja është se çfarë qasje kanë pasur të rriturit. Mjekët thonë se në vend ta kurojmë një sëmundje duhet ta parandalojmë atë. Sot mungon qasja parandaluese”, deklaroi Dom Gjergj Meta.
“Gjithçka nis nga familja. Kur pyetem për bullizimin, unë them se bullizimi nis në familje. Nëse ti dëgjon prindin tënd të thotë “ai qorri, ai sakati”, fëmija ka prirjen të të imitojë se çfarë bën ti. Kështu që, kur të shkojë te shkolla do të shikojë një djalë a vajzë me syze dhe do t’i thotë “o qorr”. E dyta është shkolla. Fatkeqësisht, ka rënë sistemi edukues dhe nevojitet më shumë në politika edukimi sesa informimi. Mund të jesh nxënës i shkëlqyer, por nëse të mungon formimi si person dhe si njeri… Aspekti i tretë, është feja ose hapësirat sociale që ndihmojnë. Por, këto nuk zëvendësojnë as familjen dhe as shkollën”, shtoi Dom Gjergj Meta.