Odise Kote, poet e romancier, tregimtar, po edhe publicist, po edhe me sprova dramaturgjie (monodrama Performance, 2015) së fundmi ka dalë përpara lexuesit me romanin e tij të fundit Funerali i hijes. Botim i shtëpisë Botuese TOENA. Shpesh nuk i japim rëndësi titullit, ose e shohim si një kartvizitë neutrale për “njohjen” që do të vijë më pas, por ka dhe raste kur duhet të qëndrojmë e të mendohemi një grimë. Ky titull, Funerali i hijes, është një rast i tillë. Sepse është simbolik për të gjithë përmbajtjen e romanit, shpreh absurdin e ngjarjes që do të lexojmë
Nga Diana Çuli
Odise Kote, poet e romancier, tregimtar, po edhe publicist, po edhe me sprova dramaturgjie (monodrama Performance, 2015) së fundmi ka dalë përpara lexuesit me romanin e tij të fundit Funerali i hijes. Botim i shtëpisë Botuese TOENA. Shpesh nuk i japim rëndësi titullit, ose e shohim si një kartëvizitë neutrale për “njohjen” që do të vijë më pas, por ka dhe raste kur duhet të qëndrojmë e të mendohemi një grimë. Ky titull, Funerali i hijes, është një rast i tillë. Sepse është simbolik për të gjithë përmbajtjen e romanit, shpreh absurdin e ngjarjes që do të lexojmë, nxit të hyjmë, që më parë se të shfletojmë fletët e librit, në një botë përfytyrimesh e asociacionesh jo të zakonshme.
Romani e vendos subjektin në kohën e ndryshimeve social politike në Shqipëri, në fund të viteve ’40 të shekullit të kaluar, duke e vendosur në qytetin e Gjirokastrës. Kuptohet, që nga kjo hyrje, se lexuesi e merr me mend se do ta presin të papritura të çuditshme, dekore dhe personazhe të veçantë, të papërsëritshëm. Rreth një ngjarjeje të vetme – zhdukjes së bankierit Petro – vërtitet një botë e madhe dhe e pasur në zhbirime psikologjike, në kolorit lokal, ku jeta e panjohur dhe e papritur që po vjen, po shemb të gjitha pikat e mëparshme të referencës. Bota e vjetër po vdes, duke mos e pasur të lehtë; ajo endet si fantazmë nëpër qytet dhe, e kërleshur me të renë, krijojnë së bashku një atmosferë surealiste, ku i gjalli me të vdekurin janë një qënie e vetme. Të rinj, të vjetër, gra, burra, sakatë, të marrë e të mençur janë pjesë e këtij karuseli, ku të gjithë kërkojnë kuptimin e ekzistencës.
Romani, pavarësisht atmosferës sureale – që në të vërtetë është reale, por tingëllon si e tillë, për shkak të veçanësisë së Gjirokastrës dhe këtu duhet të rrekemi e të kuptojmë se ku mbaron e veçanta dhe ku fillon fantazia, gjë aspak e lehtë – ka një galeri shumë interesante personazhesh. Secili me një portret të vetin origjinal, edhe dy adoleshentë që kërkojnë e ndjekin Petron, edhe gra e plaka, edhe figurat e tjera të ndryshme që përfaqësojnë botën e vjetër dhe botën e re, janë shumë të karakterizuar. Nganjëherë të duket sikur dialogjet e tyre janë inkoherente dhe kontradiktore, por në të vërtetë, më pas, i përgjigjen një logjike të mirëmenduar. Herë herë, heshtjet, e fshehta që qëndron pezull mbi kokat e të gjithëve, janë tepër elokuente.
Pa dyshim, Odise Kote e ka menduar me shumë përpikmëri logjikën, qoftë edhe simbolike, të romanit, e cila lidhet me konceptin e një bote në zhdukje, por që kjo zhdukje nuk dihej në ishte reale, në do të ishte e plotë apo jo, dhe nëse pikëpyetjet për të ardhmen dhe të shkuarën do të na vërtiten në përjetësi përmbi kokë. Sigurisht, romani Funerali i hijes, i cili mund të përcaktohet edhe fare mirë si roman realist, me atomosferë surealiste dhe me prirje simbolike – gjë që e themi ne kritikët, por që nuk e mendojnë aq shumë shkrimtarët kur shkruajnë – të shtyn të kuturisesh të analiza të tilla, për vetë natyrën që ka. Shumë analistë të tjerë të këtij romani do të ma kundërshtonin dimensionin simbolist, sepse autori, megjithë tisin fantastik që mbështjell ngjarjet dhe personazhet, nuk i pret urat me jetën materiale dhe reale e cila godet paprerë ëndrrat, utopitë, botën e përfytyruar, shpesh, të njerëzve, e sidomos të të rinjve.
Do të shtoja, në fund të këtij shënimi, se romane si Funerali i hijes, janë një prurje entuziaste në lëvrimin e vazhdueshëm të letërsisë sonë. Janë shpresa se letërsia shqipe, megjithë uljet e ngritjet e saj – që janë normale dhe të natyrshme për ekzistencën e vetë letërsisë – gjithnjë ngre kokë me vlera artistike dhe me seriozitet. Shkrimtari Odise Kote është një provë e gjallë./mapo