Nëna e peshëngritësit Pirro Dhima, kampion bote me Greqinë është gjetur e vdekur në banesën e saj në Himarë. Burime nga policia bëjnë me dije se L. Dh., 75 vjeçe është gjetur e pajetë pranë kazanëve të rakisë.
ABC News mëson se trupi i të moshuarës është dërguar në morgun e Sarandës.
Dyshohet se ka 3-4 dite që ka ndërruar jetë, pasi kishte nisur te dekompozohej. E moshuara jetonte vetëm, ndërsa besohet se vdekja mund të ketë ardhur për shkaqe natyrale, si pasojë e arrestit kardiak. Në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune.
“Më datë 30.09.2021, në Himarë, është gjetur e vdekur pa shenja dhune, shtetasja L. Dh., 75 vjeçe, dyshohet vdekje natyrale, si pasojë e arrestit kardiak..
Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme,”thuhet në njoftimin e policisë.
Marrëdhënia e vështirë e Pirro Dhimës me të ëmën
Krahas Piros, e ndjera ka edhe një djalë tjetër, tre vjet më të madh se kampioni i botës, Odhiesean.
E ndjera ka punuar gjatë gjithë jetës në Tiranë duke i rritur të dy djemtë në kryeqytetin shqiptar, ndërsa shembja e komunizmit bëri që të ndryshojnë gjërat edhe për familjen Dhima.
Piro shkoi në Greqi ku 13 vite më vonë u shpall kampion bote në peshëngritje. Ky ishte suksesi i madh i parë i tij, i cili do ta bënte një hero në Greqi. Disa vite më vonë, Dhima u zgjodh deputet i partisë së majtë greke PASOK.
Ai nuk i ka fshehur asnjëherë qasjet jo shumë dashamirëse ndaj Shqipërisë, duke dalë publikisht me personazhe të njohur që punojnë për aneksimin e jugut siç është Babis Karathano dhe grupet ekstremiste greke.
Marrëdhënia me nënën
Piro Dhima nuk ka patur asnjëherë një marrëdhënie të ngushte me nënën e tij. Ndoshta kjo shpjegon edhe faktin se përse e moshuara u gjet e vdekur pas 3-4 ditësh sipas policisë, në gjendje të dekompozuar. Kur mediat greke kanë shkruar për këtë fakt, e kanë përshhkruar raportin e tij me nënën të vështirë për shkak të martesës me gazetaren e njohur Anastasia Sdougou.
Kjo e fundit ishte shumë vitë me e madhe se Piro dhe kjo gjë nuk i pëlqeu nënës, ç’ka çau marrëdhëniet mes tyre. Edhe në intervistat për mediat greke dhe shqiptare, Piro nuk e përmend nënën e tij, por thotë se është rritur nga gjyshja në Himarë.
”Nuk jam me origjinë shqiptare! Unë jam grek brez pas brezi. Unë nuk kam asnjë lidhje me shqiptarët. Gjyshja ime u kujdes për mua, ajo më mori të më rriste sepse familja ime ishte e zënë me punë, dhe kështu kam që foshnje në Himarë. Grua e mrekullueshme dhe e mençur”, thoshte Dhima disa muaj më parë në një intervistë në mediat greke.
Emri i nënës së tij mungon edhe në “CV-në” e medalistëve botërorë, ndryshe nga të tjerët, në pjesën e emrit të nënës shënohet “I padisponueshëm”.
Bashkëshortja e tij Anastasia Sdougou ndërroi jetë nga kanceri disa vite më parë, por duket se marrëdhëniet mes nënës dhe atij nuk ishin rekuperuar.
Vëmëndja ndaj jetës së një një medalisti botëror ka qenë tepër e madhe nga mediat lokale greke apo ndërkombëtare, por ndryshe nga bvashkëshortja, fëmijet dhe shokët, Piro nuk e nxorri kurrë nënën e tij në media.(ABC News)