Si u përgatit sulmi i organizatës greke mbi Postën Kufitare të Republikës së Shqipërisë më 10 prill 1994. Raporti origjinal i Ministrisë së Rendit Publik në Tiranë dhe reagimi i qeverisë. Në orën 02.30 të mëngjesit të datës 10 prill 1994, një komando greke e veshur me uniformën e ushtrisë së këtij shteti sulmoi në befasi Postën Kufitare të Peshkëpisë, në Rrethin e Gjirokastrës. Si pasojë e këtij sulmi, u vranë kapiteni i parë Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini. Ngjarja e rëndë tronditi më tej marrëdhëniet midis dy shteteve, Shqipërisë e Greqisë. Krimi u mor përsipër më pas nga organizata terroriste greke MAVI (Fronti për Çlirimin e Vorio–Epirit).
Ky grup botoi në gazetën e Athinës “Eleftherotipia”, të nesërmen e ngjarjes, më 11 prill, një deklaratë, ku, pasi merrnin përsipër aktin kriminal, kërkonin të rriteshin veprimet për “të çliruar Vorio–Epirin”. Si për të vazhduar në këtë linjë, dy ditë më vonë, më 13 prill, gazeta tjetër greke “Stohos”, e shquar për tonet e forta nacionaliste, botoi foton e guerilëve të MAVI-it shoqëruar me titullin e madh: “Frikë në Tiranë nga goditja e fortë”. Athina zyrtare mbajti deklarimet zyrtare. Sekretari i shtetit për Punët e Jashtme, Jorgos Papandreu, deklaroi: “Është e vërtetë se në Greqi ka elementë ekstremistë për çështjen e Epirit të Veriut dhe nuk mund të përjashtohet gjë, madje as përfshirja e ushtarakëve grekë në mënyrë individuale”. Ndërsa zëdhënësi i qeverisë greke, Venizellos, tha: “Pa zhvilluar hetime, nuk mund të përjashtohet ekzistenca e elementëve fanatikë.”
Gazeta “Stohos”, tri muaj më parë, më 1 dhjetor 1993 kishte shkruar:
“Me armët fitorja jonë. Mos harroni se Greqia është e gjitha toka që vaditëm me gjak. ‘Stohos’ përgatit beteja te reja. Qëndroni edhe ju afër tij, bashkëluftëtarë në marshimin e kombit. Me kokën lart, Bizanti bëhet”. E njëjta gazetë, pak ditë para ngjarjes, më 30 mars 1994 shkruante: “E keqja më e vogël që do t’i ndodhi një vorioepiroti që banon në Shqipëri, do të kundërpeshohet me ekzekutimin e 5 shqiptarëve”. Pas ngjarjes, marrëdhëniet midis dy shteteve u acaruan së tepërmi. 10 prilli ishte një prej shenjave më të dallueshme në këtë acarim. Shteti shqiptar shpalli më 13 prill 1994 person të padëshiruar konsullin e përgjithshëm grek në Gjirokastër Kristos Jakovu, të cilin e urdhëroi të linte territorin shqiptar brenda 48 orëve.
Si veprim reciprok, shteti grek bëri të njëjtën gjë me sekretarin e parë të ambasadës shqiptare në Athinë, Kastriot Robo. Më 14 prill qeveria shqiptare i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të dënonte ashpër qeverinë greke dhe ta rreshtonte atë në vendet që përkrahin terrorizmin. Po ashtu u arrestuan mjaft elementë të përzier në veprimtari antishqiptare. Më 16 prill zëdhënësi i Ministrisë të Punëve të Jashtme të Shqipërisë deklaroi se pala greke nuk ka kurrfarë vullneti për të kapur autorët e masakrës, ndërsa qeveria shqiptare deklaroi se më i dobishëm sesa një takim dypalësh do të ishte një komision i ngritur nga Bashkimi Europian dhe KSBE-ja. Ende sot, pas kaq vitesh, nuk mund të flitet për vënie të drejtësisë së kësaj çështjeje, ndërsa MAVI shfaqet ndonjëherë me ndonjë kërcënim tjetër, madje edhe ndaj qytetarëve shqiptarë me origjinë greke.
Komunikata e Ministrisë së Rendit Publik, nr.101, datë 11 prill 1994
“Më 10.4.1994 ora 2.30, 6 – 7 persona të paidentifikuar, të veshur me uniformë ushtarake greke, të maskuar me maska, kanë hyrë nga toka greke, nëpërmjet grykës së Bogazit, në tokën shqiptare, në postën kufitare të Peshkëpisë. Aty në mënyrë të befasishme kanë goditur me armë automatiku tip ‘Shotgun’ rojën e jashtëm të postës, ushtar Arsen Llazar Gjini, vjeç 20, nga fshati Seman Fier, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Më pas kanë kapur rojen e derës së hyrjes së postës, i cili së bashku me rojen e jashtme e kryenin shërbimin pa municion, e janë futur në ambientet e postës. Dy prej tyre kanë hyrë në dhomën ku flinin nënoficerët e postës, Qemal Stroka dhe Siat Selfo, të cilët i kanë nxjerrë të lidhur.
Një person tjetër prej tyre ka hyrë në dhomën e komandantit të postës, Fatmir Sali Shehu, vjeç 34, lindur në Qesarat të Tepelenës, banues në Gjirokastër, duke e nxjerrë në korridor e aty e kanë goditur me automatik, duke i shkaktuar plagë në gjoks e në krahun e majtë, duke i shkaktuar vdekjen. Pas këtyre veprimeve, kanë hyrë në fjetoren e ushtarëve duke goditur me automatik muret e tavanit të saj. Kanë sjellë aty trupin e ushtarit të vrarë me automatik dhe kanë goditur e plagosur 3 ushtarë të tjerë, që janë jashtë rrezikut, duke u thënë se po të lëviznin, do ta pësonin dhe se këtë e bënin për ‘Vorio-Epirin’, të cilin nuk e kanë harruar. Kanë kërkuar të dinë se ku është depoja e armatimit, por ushtarët nuk e kanë treguar.
Gjatë kësaj kohe kanë kontrolluar dhe kanë marrë 16 automatikë dhe 2 pistoleta në kasafortën e fjetinës, duke i këputur drynat pasi kanë lidhur në pranga të markës ‘Tajvan’ nënoficerin Qemal Stroka, e kanë marrë me vete duke u thënë ushtarëve se ky është i vdekur, prandaj ju mos lëvizni. Pasi e kanë marrë me vete, janë larguar në drejtim të kufirit nga gryka e Bugazit. Afër kufirit, rreth 200 m larg piramidës 24, e kanë lënë nënoficerin Qemal Stroka të lidhur me pranga, duke i thënë të kthehet në postë dhe për çdo minoritar do ta paguani 10 nga ju dhe kanë ikur në tokën greke. Veprimet e tjera hetimore u bënë nga një grup hetuesish të policisë hetimore. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën gëzhojat e automatikut ‘Shotgun’ me të cilat kishin qëlluar. Në rrugën e kthimit për në tokën greke u gjetën disa pajime ushtarake, si çanta shpine, shirita dore të prodhimit amerikan.
Nga veprimet e para hetimore, u provua se disa persona të identifikuar nga ata që flisnin vetëm greqishte të pastër, njëri fliste shqipe të çalë me theks minoritar dhe tjetri shqipe të pastër me dialekt të jugut. Nga policia hetimore u ndaluan për shpërdorim detyre, për mosmarrjen e masave për kryerjen e rregullt të shërbimit, e organizimin e punës për ndjekjen e moskapjen e këtij grupi terrorist, nënoficerët e postës kufitare të Peshkëpisë, si më poshtë: Qemal Sulo Stroka, vjeç 30, banues në Peshkëpi, nënoficer në këtë postë, instruktor qeni me kombësi e shtetësi shqiptare; Siat Felek Selfo, vjeç 42, banues në Peshkëpi, nënoficer magazinier; oficer Arian Reiz Guma, vjeç 39, banues në Gjirokastër, komandant i qendrës së stërvitjes; për arsye se ka urdhëruar të kryhet shërbimi pa municion në postë. Ndalimet i bëri inspektori i policisë hetimore Ilirian Delilaj dhe Denarl Alikaj. Materialet prokurorisë”.
Pjesë nga deklarata e Këshillit të Ministrave e datës 12 prill 1994
“Lidhur me incidentin e datës 10 prill 1994, kur një komando e përbërë nga 6 – 7 persona grekfolës, të veshur me uniformë të ushtrisë greke, sulmoi një qendër stërvitore të rekrutëve shqiptarë…, duke vrarë ushtarin roje Arsen Gjini – 20 vjeç, dhe kapitenin e parë Fatmir Shehu – 34 vjeç, duke hapur zjarr mbi rekrutët që po flinin e duke plagosur prej tyre Eduart Vermishin, Frederik Kalemin dhe Janaq Xegën, si dhe duke plagosur mjaft të tjerë para se të largohej e ndjekur nga forcat e rendit, dhe që dëshmohet se përfundoi në postën kufitare greke të Argjirohorit, qeveria e RSH-së shpreh indinjatën e saj të thellë për këtë akt madhor armiqësor, i cili është një sulm direkt ndaj sovranitetit dhe integritetit të Republikës sonë… Politika e akteve terroriste dhe e masakrave është në përputhje me politikën e re greke të mbrojtjes, që siç është deklaruar shtrihet nga Qiproja e deri në të ashtuquajturin ‘Vorio-Epir’, siç e quan Athina Shqipërinë e Jugut.
Le të përmendim këtu edhe deklaratat e herëpashershme me pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, të qeveritarëve dhe politikanëve të lartë grekë, si ato të ish-kryeministrit Micotaqis, i cili më 14 korrik 1993 flet për aneksimin e Vorio-Epirit nga shteti shqiptar në vitin 1913; ajo e zëdhënësit qeveritar Evangjelos Venizellos, i cili në tetor 1993 njehson Shqipërinë me Vorio-Epirin; deklarata e ministrit të Presidencës, Kuvellos, që më 10 gusht 1992 flet publikisht në stadiumin e Athinës për Himarën si “tokë e paçliruar”; apo deklaratën e liderit të opozitës, Miltiadhis Evert, i cili shkon edhe më larg, duke thënë në janar të vitit 1994 se Epiri i Veriut është Greqia e Veriut… Ballkani dhe Europa e njohin mirë moralin e bandave greke.
Shumë herë në gjysmën e parë këtij shekulli, njësi të armatosura greke kanë penetruar në territorin shqiptar duke kryer masakra, djegie, shkatërrime dhe akte të tjera terroriste… Deklaratat e zyrtarëve grekë se Greqia është faktor paqeje, sigurie dhe stabiliteti nuk mbështeten nga realiteti. Lidhur me masakrën e datës 10 prill 1994, zëdhënësi i qeverisë greke, duke mos shprehur as keqardhjen më të vogël për viktimat, nuk shpreh asnjë angazhim të qeverisë së tij për të zbuluar dhe dënuar autorët e kësaj masakre, të cilët pasi kryen veprën kriminale shkuan në drejtim të postës kufitare greke…”.