Pas shumë kërkesave që nuk ishin marrë në konsideratë nga Bashkia Gjirokastër, banorët e lagjes ‘Pllakë’ e vendosën vetë një ‘polic të shtrirë’ për të penguar automjetet që të lëviznin me shpejtësi në atë rrugë. Qëllimi ishte të detyronin shoferët të ngadalësonin shpejtësinë në këtë pjesë të rrugës, aq më tepër që aty kalojnë edhe nxënësit e një shkolle 9-vjeçare.
Por qëndrimi i ‘policit të shtrirë’ në rrugë nuk ka zgjatur as 24 orë. Punonjës të Policisë Bashkiake, me urdhër të kryetares Zamira Rami, e kanë hequr mëngjesin e sotëm, duke rikthyer rrezikun potencial për ndonjë ngjarje aksidentale. Dakord, mbase Zamira Rami ka vepruar në këtë mënyrë sepse e konsideron të jashtëligjshme ndërhyrjen e banorëve në rrugë.
Megjithatë në këtë rast jemi në një situatë kur s’kemi të bëjmë me ndonjë ndërtim privat apo shkatërrim të pronës publike për përfitime personale. Banorët, kërkesat e cilëve nuk ishin marrë parasysh nga Bashkia Gjirokastër, ndërhynë vetë për të krijuar siguri në rrugë. Veprim ky që është padiskutim një e mirë publike dhe i justifikuar në kushtet kur institucionet, bashkia në këtë rast, heshtin dhe injorojnë shqetësimin e qytetarëve.
Pyetja që shtrohet është kjo: Kush mban përgjegjësi nësë pikërisht në këtë segment automjetet që lëvizin me shpejtësi, aksidentojnë ndonjë nxënës, të moshuar apo çdo person tjetër? Përtej përgjegjësisë individuale të shoferit, natyrisht që ka edhe përgjegjësi institucionle të entit shtetëror që ka për detyrë të krijojë sigurinë në rrugë.
‘Policët e shtrirë’ për të penguar automjetet të lëvizin me shpejtësi nuk janë një shpikje shqiptare. I gjen në plot qytete të tjera nëpër Europë. Patjetër që s’kanë pse mungojnë as në qytetet shqiptare, aq më shumë kur këtu drejtuesit e automjeteve në përgjithësi sillen si ‘kamikazë’ në rrugë.
© ArgjiroLajm.net











