Më në fund Flamurtari ka mundur të marrë fitoren e parë në shtëpi gjatë këtij sezoni në Kategorinë Superiore. Vlonjatët ditën e sotme shkatërruan me rezultat tenistik Luftëtarin, që sot nuk ishte aspak skuadra, që mundohej t’i bënte ballë çdo kundërshtari. Me ndeshjen, që nisi 16 minuta me vonesë, Ribaj gjeti golin e parë të ndeshjes me ndihmën e një penalltie, pas një prekje të topit me dorë brenda zonës nga lojtarët gjirokastritë.
Kaq mjafton për t’i hapur rrugën e fitores më të thellë të sezonit nga skuadra e Troisit. Lukas Ramos shënoi golin e dytë pa u mbyllur pjesa e parë, ndërkohë që Hoxhaj shënoi tripletë në të dytën. Oshafi shënon me ndihmën e një penalltie, por Flamurtari nuk ndalet me kaq, pasi Ribaj shënon golin e gjashtë dhe të fundit për këtë sfidë. Fitore 6-1 për vlonjatët, që mbetet vetëm në kuadrin e statistikave dhe prestigjit, pasi të dyja skuadrat janë të rëna nga Kategoria Superiore.