XHEVAIR LLESHI
Qyteti–përrallë shtrihej para nesh i ndezur nga dritat që nxirrnin në pah shtëpitë–kulla, kështjellën, monumentet e mahnitshme, që vesonin diku-diku edhe qiellin e bruztë. Jemi po ai grup që la pas luginën e Kardhiqit dhe Manastirin e Cepos, drekën e famshme dhe u shastisëm krejt në Gjirokastër. Është e pamundur t’i shpëtosh kësaj ndenjeje, aq më tepër kur je me profesor Arqile Bërxholin. Autobusi mbeti në “Sheshin e Çerçizit” dhe filluam të lëviznim drejt “Qafës së Pazarit”. Sheshi i Çerçizit! …
Monumenti i Çerçiz Topullit është vendosur në këtë shesh që mori emrin e tij. Statuja e Çerçizit është vepër e Skulptorit të Popullit, Odhise Paskali. Monumenti është inauguruar më 1934-n. Çerçiz Topulli bashkë me Muço Qullin u arrestuan nga forcat ushtarake malazeze në periferi të Shkodrës dhe u pushkatuan më 15 korrik 1915 po nga një togë ushtarake malazeze. Për 20 vjet nuk dihej se ku ishte varrosur Çerçizi.
Në vitin 1936, varri i tij u zbulua dhe eshtrat e Çerçizit u njohën nga një mik fëmijërie me të, nga Javer Hurshidi, i cili e njohu nga një dhemb floriri që e kishin të dy njëlloj. Statuja e tij prej bronzi, në këmbën e majtë, ka një vrimë plumbi që e shkaktoi një oficer i dehur italian me pistoletën e tij, në kohën e pushtimit fashist… Turistët italianë u përulën para monumentit.
* * * Ecnim ngadalë, duke parë dyqanet e punuara bukur dhe duke u ruajtur nga përplasjet e papritura me makinat. Ky qytet nuk mund t’i mënjanojë përfundimisht makinat, pasi dalin mijëra probleme brenda një dite. Italianët vështronin përreth dhe sytë u qenë zmadhuar sa fundi i një filxhani. Nuk u besonin syve dhe i qëndronin afër profesorit, duke përpirë çdo fjalë të tij.
Duket se ato çaste ai po këndonte nën zë: Gjirokastra ime / Fjala mjaltë e këngës, / Ku dhe guri flet, / Me gjuhën e zemrës! / Sot me zërin tim, / Mblidhen mijëra zëra, / Po the Gjirokastra, / I ke thënë të tëra! Ah, po, më falni. Gjirokastra është njëlloj si amësia; nuk mund t‘u besoni përshkrimeve të librave, duhet të jetoni atje! Ja, shikojeni, vërtet një gjë e mahnitshme, e pamundur për t’u besuar syve. Është ndoshta i vetmi vend që ka nevojë për më shumë dashuri. Kjo nuk është deklaratë, domethënë llaf goje, por një e vërtetë e epërme. Duket se qytetet e vjetra janë harruar. Dhe Gjirokastra më duket se e ka pësuar: edhe ajo pothuaj është harruar. E provoj në kurrizin tim. Ja, i shoh njerëzit e moshuar, më shohin edhe ata dhe… kaq. Nganjëherë mjafton edhe një tundje koke.
Eh! Ne, nuk them, e kemi gjetur formulën e justifikimit: politika e çoroditur shqiptare që po na detyron ta shohim jetën vetëm bardhezi. Jemi qytet i UNESCO-s, nuk i thonë pak. Nuk duhet t’i mërzitim të tjerët duke u përplasur në fytyrë vetëm hallet tona. Edhe për mbeturinat në rrugë? Edhe për një copë letër? Edhe për një pështymë?… Jo, këto janë tmerre që s’duhet të ndodhin kurrë. Mirëpo këta, banorët e rinj të Gjirokastrës (nuk përjashtoj edhe Beratin këtu!), nuk e kanë kulturën e nevojshme, derisa nuk dinë ta mirëmbajnë qytetin… Profesori e ndërpreu fjalën. Nderet midis nesh një heshtje që u duk fort e gjatë. Na thuaj çdo gjë që lidhet me qytetin, profesor. Edhe ecim ngadalë, edhe flasim, domethënë dëgjojmë fjalën tënde.
* * * Po i vija veshin me kujdes. S’ka një tjetër si Gjirokastra! Nuk e them për mburrje. Se, edhe në Berat po të jem, do të flas po me të njëjtën dashuri. Për vlerat e mëdha Gjirokastra, që herët është shpallur “Qytet-Muze” (më 02. 06. 1961). Tani ata të 61-shit janë 55-vjeçarë. Dhe qytet-muze do të thotë Qendra Historike, që me fjalë të tjera shprehet në Zonën-Muze dhe Zonën e Mbrojtur.
Në Gjirokastër kemi 105 objekte monumente të para, prej të cilëve 51 banesa dhe pastaj 378 ndërtesa objekte monumentale të dyta. Bërthamën e zonës historike e përbëjnë Kalaja, Pazari, lagjet përreth (Pazar i Vjetër, Palorto, Hazmurat, Meçite, Dunavat I); zona periferike me zonën muze dhe zona e mbrojtur. Kjo nuk është thjesht një fjali. Mos harroni edhe elementët urbanistikë, ku bëjnë pjesë Kalaja, Pazari dhe lagjet e banimit.
Profesori vijonte: Në janar të vitit 2002 iu propozua zyrtarisht autoriteteve të UNESCO-s që Gjirokastra të përfshihej në listën e objekteve të trashëgimisë botërore, ndërsa më 22 janar 2002 u dorëzua dosja me materialet përkatëse. Kërkesa u shqyrtua në mbledhjen e Dubait, zhvilluar më 10- 17 korrik 2005.
Seksioni i Komitetit të Trashëgimisë Botërore, më 14 korrik të vitit 2005, vendosi ta përfshijë Gjirokastrën në Listën e Objekteve të Trashëgimisë Botërore me motivimin: «Përbën dëshmi unike për traditën kulturore të jetës, të zhvilluar në shekujt 14-19». E dija, në të vërtetë ishte komunizmi që e rroposi qytetin, artin e tij, duke i anatemuar pa asnjë dallim. Kjo e vërtetë s’mund të fshihej.
Profesori nuk po futej në këto shkatërrime, por cilësonte modelin jugosllav apo sovjetik që nepërkëronte qytetit të vjetër. Po ndërsa qytetet e tjerë edhe mund të pajtoheshin me të keqen, Gjirokastra nuk mund ta duronte dot atë. Do ta shkatërronte vetëm mungesa e frymës, e cila e ka mbajtur gjallë qytetin e vjetër. FRYMA! Kjo ishte thembra e Akilit në Gjirokastër, që do të ngrinte furtuna stigme mbi këdo që ia kishte me hile.
Arqile Bërxholi nuk priti më gjatë. Dua t’ju sjell ndërmend fjalët e udhëshkruesit osman, Evlia Çelebi, në shënimet e tij: “Qyteti jashtë kështjellës është ngritur mbi tetë kodra e lugina përqark kalasë. Janë 8 mëhallë, ndër to Palo, Vutosh, Manalat, Dundari, e Haxhi Beut, dhe e Memi Beut. Të gjitha të begata”. Autori nuk përmend këtu dy lagje, që njëra mund të jetë Kyçyk Varoshi (Varoshi i Vogël) dhe tjetra mund të jetë lagjja Cfakë.
E pra, i vjetri, qyteti i trashëguar, edhe pse mbahej në gojë si gjë e rrallë, e bukur, e fisme, si qytet i Enver Hoxhës dhe Ismail Kadaresë, në të vërtetë luftohej, sa të mundej më shumë me një varg gjërash pa fund dhe krejt të padukshme. E kush mund ta bënte më mirë «Boshtin e Jugut», rrugën e domosdoshme dhe të klasit, më parë se diktatori? Rruga dhe vetëm rruga do ta mbante gjallë qytetin e vjetër, apo edhe Beratin, Krujën, Durrësin, Shkodrën, Korçën.
Që këtu fillon sjellja tërë hile, sigurisht e veshur me fjalë të bukura. Po qyteti i ri mund të ndërtohej më vete dhe kurrë i ngatërruar me qytetin e trashëguar. Pastaj ky qytet i larguar, u zhvesh, mbeti me një frymë të hollë astmatike, e ftohtë, sido që brenda tij punonte Atelieja, madje jepeshin ndonjëherë edhe fonde. Thuajse zvarrë erdhëm në vitin ’90, pas të cilit qyteti u katandis në zero. Fat që e mori në mbrojtje UNESCO…
* * * E kuptoj. Asgjë s’mund të largohet prej të vërtetave. Më mirë të dëgjonim historinë me pak fjalë të treguar nga profesor Bërxholi. Ja tek mbërritëm tek Obelisku kushtuar «Pionierëve të arsimit shqip», ngritur këtu në kodrën historike, ku në maj të vitit 1908 u hap shkolla e parë shqipe me emrin «Liria».
Obelisku është quajtur: «Mëmëdheu ABC». Ai u inaugurua në mars të vitit 1977 me rastin e kremtimit të 90-vjetorit të Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë. Për Obeliskun është punuar 2 vjet… Dhe si mbylli fjalën për Obeliskun, foli për lagjet e sotme të Gjirokastrës, që nuk janë edhe aq të ndryshme nga e kaluara. Në fund të fundit, Gjirokastra është thjesht tragjedi, po ama si tragjeditë e lashta të Euripidit. Këtu mblidhet e gjithë madhështia…
Vështrojeni, ju lutem këtë kullë. A nuk është madhështore? E jashtëzakonshme! Është nga gjërat që i nderoj së tepërmi, edhe për një fakt të thjeshtë, ndoshta pse jam lunxhiot. Sidoqoftë, banesa popullore qytetare që bie në sy në qytetin e sotëm të Gjirokastrës është unitet arkitekture, me të cilën janë trajtuar të gjithë elementët e ndërtimeve. Në këtë mjedis të jashtëzakonshëm arkitekturor shquhet ana e veçantë e banesës qytetare, që është më tipikja dhe më origjinalja në Shqipëri! Këtë e them pa modesti. Për realizimin e banesës qytetare gjirokastrite, mjeshtrit popullor i është dashur të vlerësojë sa më mirë e më bukur ndikimin e truallit jo vetëm mbi kompozimin e banesës, por edhe të raportit të saj në kompleksin e banesave dhe të lidhjes me truallin. Në këtë mënyrë, banesa qytetare gjirokastrite (po edhe ato të kultit), në volumin e tyre, bëhen një me truallin, i ngjishen atij dhe lidhen plotësisht me të. Banesa qytetare gjirokastrite është emëruar «kullë qytetare», vazhdoi profesori. Kjo për hir edhe të tipareve mbrojtëse të saj.
Ato thuajse gjithmonë janë të rrethuara me mure. Përgjithësisht banesat kanë një oborr të vetëm, por hasen edhe dy e tri oborre. Sigurisht, për nevoja të mbrojtjes. Ajo që e bën të diferencueshme banesën qytetare gjirokastrite është modelimi, kompozimi i hedhur, monumentaliteti, karakteri i ashpër, lëvizja e theksuar e volumeve, që e shquajnë atë nga banesat e tjera qytetare shqiptare… Menaxheri, mbetur gojëhapur, më shihte si i trembur.
Gjirokastra, i thashë, mahnit edhe burra më të mirë se ne, apo jo? Gjirokastra s’mund të ndëshkohet as edhe me fjalë, as me shtyrje mënjanë në harresë. Duhet kohë, shumë kohë që të krijohen sërish përralla të tilla si ky qytet. Për mendimin tim, ajo duhet ngritur në institucion më vete, ashtu si dhe Berati, diçka dinjitoze, prej arti të rrallë, që të mos e marrin kurrë rrokullimën. Vetëm kështu mund të arrijmë atë që duam: vetëm me art të madh, siç ka ndodhur me Shtëpinë e të madhit Kadare. Një shkrimtar i madh si Ai e meriton atë vlerësim.
Na ka dhënë aq shumë si komb, saqë çfarëdo që të bëjmë ne, do të duket shumë pak! Dikur Ai do të vlerësohet si në baladat e moçme! Ua them unë… S’do të ketë vend në harresat e urtësive të mrekullueshme kadareane. Gjithçka po ju tregoj është kjo, Qendra historike, zona muze, domethënë Kështjella, Pazari i qytetit, lagjet Pazar i Vjetër, Pllakë, Hazmurat, Teqe; pjesë të lagjeve Varosh, Meçite, Palorto dhe Dunavat i Parë, ansamble të lagjeve: Dunavat i Dytë, Manalat dhe Cfakë.
Zona muze është pjesa më me vlerë e Qendrës historike. Monumentet kryesore të trashëgimisë kulturore në qytetin e Gjirokastrës janë: Kalaja, Rrënojat e këmbëve të ujësjellësit të kalasë në Dunavat, Ura e ujësjellësit në përroin e Butaries, Banjat në lagjen Meçite, Sternat e Baboçajve, Kisha e Shën Mëhillit, Kisha e Shpërfytyrimit, banesat e Topullarajve, Skëndulajve, Adem Zekos, Astrit Dhramit, Angonate, Xhaxhiajve dhe 48 të tjerave, banesa e Eqrem Çabejt, banesa e Ismail Kadaresë, xhami e teqe, Monumenti Çerçiz Topullit etj. Po, po, i di të 48 emrat e familjeve.
Nuk mund të ndodhë ndryshe. Tani ngrihemi dhe shkojmë në Kështjellë. Si thoni? U dëgjuan duartrokitje të nxehta. Kështjella e Gjirokastrës është shpallur monument kulture qysh në vitin 1948. Ajo është ndërtimi më i madh e më mbresëlënës, siç do ta shohim nga afër. Ajo gjendet në kreshtën e kodrës që ka formën e një kurriz peshku. Në ditët e sotme ajo ka… Ka historianë që mendojnë se punimet e fortifikimit në kala i ka filluar Gjin Bue Shpata, vazhduar më pas nga Gjin Zenebishi, që në gjysmën e dytë të shek. XIV pati këtu kryeqendrën e tij. Në të tria anët e tjera nuk ka hendeqe, sepse shkëmbi është tepër i thiktë…
Profesori vijoi gjatë, duke folur ngadalë dhe kuptueshëm, në mënyrë që regjistrimi të bëhej saktë. Edhe po ta dëgjonte ndonjë gjirokastrit i shkolluar do të ngujohej, siç ndodhi me regjisorin Ilirjan Lluri, mikun tim në teatrin e Beratit, i cili, nën efektin e magjisë së fjalës së profesor Bërxholit, harroi të më takonte. Iliri është djalë i zgjuar dhe merret me kulturën në bashkinë e Gjirokastrës. Pastaj u takuam dhe e qeshura e tij m’u ngjit si një gjë e bukur dhe e dëshiruar. Pse nuk filmoni? – pyeti.
Ndoshta filmojnë, i thashë, por qëllimi me sa duket është vetëm audio. Iliri iu bashkua grupit tonë. Shpirti i artistit e afroi me ne. E di që mbahen me shpirt nëpër dhëmbë, thjesht nga fonde të mjera. Kjo nuk është dhe aq e këndshme, ta thuash, madje tingëllon e hidhur, mbart edhe një dozë ironie, po pikërisht kjo e kthen në enigmë. Besoj se një e vërtetë si kjo hedh dritë mbi skuta të tmerrshme që dhembin trishtueshëm. E di që Gjirokastra s’mund të dyzohet kurrë, ndryshe do të ishte një vuajtje e pafundme.
* * * Ia kemi shaluar Kalasë dhe vështrojmë natën me hënë të luginës së Drinos. Vjen një qetësi sublime, e thellë. Gjirokastra merr frymë me gjithë forcën e shpirtit. Mali i Gjerë tund kryet duke parë pa pikë çudie atë që na trishtonte ne. Qyteti ngrinte kokën dhe shpatullat i mbante mbështetur përfund pllajës gëlqerore të malit, ndërsa trupin e zgjaste në kreshtat e kodrave dhe lugjeve të përrenjve që dalin në formën e gjethes së rrapit dhe këmbët i zbresin poshtë në brigjet e lumit Drino, i cili shpeshherë i lag ato. Ky qytet është i ndërtuar nga guri i bardhë gëlqeror, më së shumti mbi truall guri gëlqeror të bardhë, i mbuluar me pllaka guri gëlqeror të bardhë dhe rrugët shtruar me kalldrëm guri bardhezi. Për këtë veçori të ndërtimit shumë udhëtarë e kanë quajtur «qytet i gurtë», të tjerë e kanë quajtur «qytet i argjendtë».
Kjo shtrirje e tij shkon prej brigjeve të lumit e gjer në kreshtën e Kërcullës. Ka pasur vizitorë që e kanë quajtur edhe «qytet i dy mijë shkallëve»… Ilir, i drejtohem mikut tim, mos më thuaj që nesër do të kemi dasmë në Gjirokastër? Iliri pohoi dhe qeshi fort. E qeshura oshtiu në thellësinë e errësirës. Pastaj më kthehet.
Gjirokastra dhe Berati (Saranda duhet të ishte lidhur me kohë!) kërkojnë lidhjen me rrugë të vërtetë. Kur të krijojmë urën e fuqishme Berat – Gjirokastër, vetëm atëherë do mund të flitet për turizëm! Pastaj do të mbështetemi të dy si miq të mirë pranë dritares sime dhe të vështrojmë diku në të panjohurat e mëdha, sigurisht për t’i kuptuar e për t’i bërë tonat. Jo, ky nuk është ëndërrim, por ama ta dish: pa këtë urë s’do të ketë kurrë Europë për ne, le të miratohet çfarëdolloj ligji për drejtësinë, apo gjëra të tjera të këtij lloji! Atëherë edhe shteti do të tregohet jo dorështrënguar më me trashëgiminë e artë që për fat e zotërojmë. Dhe një njeri i tillë i madh i ka kthyer shpinën shtetit dhe natës, i përpirë në lodhjen e tij të përbindshme…/panorama