Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka pezulluar aktivitetin dhe ka vendosur gjoba ndaj pesë subjekteve që operojnë në zonën e Dhërmiut, në Bashkinë Himarë, për shkelje të legjislacionit mjedisor.
Sipas njoftimit të IKMT-së, pas denoncimeve të qytetarëve, Drejtoria e Inspektimit të Mjedisit dhe Ujërave kreu kontrolle në zonat ku zhvillohet aktiviteti i fraksionimit dhe përpunimit të inerteve të gurit.
Gjatë inspektimeve u konstatua se subjektet nuk kishin respektuar kushtet e përcaktuara në lejet e lëshuara nga autoritetet mjedisore. Si pasojë, kompanitë “Gjikuria”, “Anchor Beton”, “Eral Construction Company” dhe” Beton Express 2018” u ndëshkuan me masa administrative, që përfshijnë pezullimin e aktivitetit dhe vendosjen e gjobave.
IKMT thekson se, në funksion të mbarëvajtjes së sezonit turistik, u bën thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojnë aktivitet në vijën bregdetare të respektojnë detyrimet ligjore për mbrojtjen e mjedisit.
Institucioni nënvizon se do të vijojë kontrollet në terren dhe nuk do të tolerojë asnjë shkelje të legjislacionit në fushën e ndërtimit, mjedisit dhe pyjeve.









