Nga Koco Kokëdhima
Për një fillim të ri për shtetin dhe për popullin tonë
Kriza ciklike 10-vjeçare që po përjetojmë mund të zgjidhet vetëm me reformimin e sistemit tonë politik. Për këtë nuk duhet të presim nga jashtë. Zgjidhja duhet të vijë nga brenda vendit. Kjo është krizë e sistemit politik, e mungesës së përfaqësimit të popullit dhe e sistemit zgjedhor, të cilën nuk mund ta zgjidhin vetëm partitë e vjetra që e kanë krijuar dhe shtresëzuar vit pas viti. Ato janë përgjegjëse për shkatërrimin e demokracisë dhe zëvendësimin e sovranitetit të popullit me pushtetin e kryetarëve të tyre. Këta të fundit shkatërruan interesin e përbashkët, liritë dhe shtetin, sundimin e ligjit dhe burimet e ekonomisë vetëm për pushtetin, pasurimin dhe privilegjet e tyre personale.
Një popull servil dhe i korruptuar, militant dhe mbështetës i verbër ndaj liderëve autokratë e të gjithëpushtetshëm të partive është i prirur të bjerë nën tirani dhe ta humbi lirinë e vet. Mjerisht, kjo ndodhi me popullin tonë. Shqipëria ka një sistem politik, që nuk ngjason me asnjë tjetër në botë. Rifitimi i lirisë së humbur tashmë duket i pamundur paqësisht dhe pa luftë. Uzurpatorët nuk e lëshojnë më pushtetin. Liderët e tri partive të vjetra e mbajnë fort me thonj, në marrëveshje e në bashkëpunim këtë sistem tek i cili ata ndihen si sulltanë që alternohen çdo 8 vite në qeveri.
Mjafton të mbajnë në kontroll partitë e tyre që i kanë kthyer në bashkësi parapolitike jo demokratike dhe në struktura të kriminalizuara. Shumica e shqiptarëve të leshtë, dinakë apo të papërgjegjshëm qofshin, për fat të keq, janë të pavetëdijshëm se çfarë kanë humbur dhe çfarë të keqe të madhe i kanë bërë vendit dhe brezave që vijnë duke mbështetur këto parti në mëkatet e tyre.
Kriza jonë zgjidhet vetëm përmes kurimit në themel të shkaqeve të saj. Kjo kërkon sinqeritet dhe ndershmëri nga të gjitha palët.
Për të zgjidhur krizën aktuale dhe të tjerat që do të pasojnë në mënyrë të pashmangshme, propozoj një Pakt Kombëtar për një sistem të ri politik, për një fillim të ri për të gjithë, për qytetarët e urtë, për rininë dhe për pensionistët, për militantët e papërgjegjshëm dhe për vulgun, për elitën drejtuese, për ata që e çmojnë lirinë mbi gjithçka dhe për të tjerët që nuk e kanë problem të jetojnë në shtypje e robëri.
Për të kapërcyer krizën është akute, që vendi të dalë nga sistemi i partitokracisë, kërkohet çmontimi i pushtetit absolutist të kryetarëve dhe rivendosja e Republikës. Duhet t’i jepet fund regjimit hibrid që ka prodhuar marrëveshja PS-PD dhe autokracia e krimit dhe korrupsionit. Tejkalimi i krizës kërkon një Pakt Kombëtar konsensual, përndryshe ky vend nuk ka shpëtim, do të vazhdojë të thahet edhe më shpejt nga çdo burim. Nën diktaturën komuniste ishim pa liri, por kishim shpresa dhe besim te e ardhmja demokratike e vendit. Tani jemi më të pashpresë se kurrë, jemi një shtet dhe një vend që po zhbëhemi çdo ditë. Qeveria bën gjithçka për të na mbajtur në gjumë e në errësirë dhe për të mos e lejuar popullin të kuptojë humnerën ku ka rënë. Na duhet një pakt kombëtar për një fillim të ri që të kthejë shpresën dhe besimin, punën dhe përkushtimin, zhvillimin ekonomik, arsimor, kulturor dhe demografik, virtytin dhe shëndetin e gjithanshëm të shoqërisë, jetën, gëzimin dhe entusiazmin e popullit dhe rinisë. Ky pakt duhet të na bëjë që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, pavarësisht mllefeve, xhelozive, përçarjes dhe urrejtjes që na kanë mbuluar me nxitjen dhe planin e atyre që e sundojnë, e shtypin dhe e vjedhin këtë popull si të ishin pushtues të huaj.
Na duhet që të punojmë me mençuri për të rizgjuar ëndrrën dhe vetëdijen tonë kombëtare, për të ushqyer respektin ndër ne dhe për të ndaluar që të ndjekim e ndihmojmë qëllimet e armiqve tanë. Urrejtja, mllefi dhe zemërata nuk na shpien askund. Edhe mashtrimet e zyrtarëve të lartë që e paraqesin situatën si normale, vetëm e zgjasin dhe e përkeqësojnë agoninë, e bëjnë akoma më të rrezikshme gjendjen tonë. Nuk duhet të humbasim më kohë. Mjaft kemi humbur.
Pakti Kombëtar që propozoj në emër të Partisë ‘Zgjidhja’, përfshin:
l) Të eleminohen shkatërrimi i lirive republikane dhe kapja e shtetit nga kryetarët e partive, si burimi kryesor i krizave dhe keqqeverisjes së Shqipërisë. Të drejtat e uzurpuara prej tyre t’i kthehen popullit dhe institucioneve kushtetuese. Për këtë:
a) Të shfuqizohen ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008 dhe të bëhen amendimet e reja kushtetuese që do mundësonin reformimin e sistemit politik të Shqipërisë dhe vendosjen e një demokracie funksionale.
b) Të kalohet në një parlament me 100 deputetë dhe në një sistem mazhoritar të hapur me 70 zona, të korrektuar me propocional kombëtar për 30 deputetët e tjerë.
c) Të ndalohen me kushtetutë kryebashkiakët, Presidenti i Republikës dhe Kryeministri që të zgjidhen për më shumë se dy mandate.
II) Të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli Presidenti i Republikës. Kompetencat e tij kushtetuese të rishikohen në funksion të balancimit të pushteteve.
III) Të demokratizohen dhe depolitizohen zgjedhjet, me një KQZ dhe administratë zgjedhore të depolitizuar e tërësisht të pavarur,
me një proces e ligj zgjedhor që garanton barazinë, ndershmërinë dhe lirinë e plotë të konkurencës mes partive dhe individëve, duke eliminuar favorizimin e partive të vjetra dhe diskriminimin e partive të reja.
Votat duhet të ketë të njëjtën peshë për çdo subjekt apo individ dhe të numërohen në Qendrat e Votimit. Kutitë e votimit të mos transportohen të panumëruara.
Të përfshihet teknologjia minimalisht për identifikimin biometrik të zgjedhësve dhe për numërimin elektronik të votës në QV.
Emigrantët duhet që të kenë mundësinë të votojnë në konsullatat dhe ambasadat tona në botë, por jo në distancë.
IV) Të ushtrohet lirisht sovraniteti i popullit dhe pjesëmarrja e tij në qeverisje përmes votës së drejtpërdrejtë.
a) Të hiqen të gjitha pengesat ligjore që i bëjnë referendumet të pamundura.
b) Qëndrueshmëria e mandateve qeverisëse 4-vjeçare duhet të kushtëzohet me verifikimin periodik të besimit të zgjedhësve në periudha të ndërmjetme.
c) Zgjedhja e kandidatëve të partive për president të Republikës, deputetë, këshilltarë dhe kryetarë bashkie të bëhet përmes primareve mikse.
V) Të reformohen e demokratizohen me ligj partitë politike duke sanksionuar si më poshtë, por jo vetëm.
a) Të bëhet përmes primareve zgjedhja e përfaqësuesve dhe e drejtuesve në parti.
b) Të përgjithësohen regjistrat elektronikë të partive çdo tre muaj dhe të administrohen sipas standardeve të përcaktuara me ligj nga një qendër e pavarur.
c) Të çregjistrohen nga Gjykata e Tiranës partitë që nuk përmbushin standardet e ligjit.
d) Të garantohen me ligj transparenca e financimeve të partive dhe respektimi i mendimit ndryshe.
VI)
a) Të shtyhen për në muajin tetor 2019 zgjedhjet e 30 qershorit.
b) Reforma Zgjedhore të kryhet përpara zhvillimit të tyre.
c) Zgjedhjet e përgjithshme të afrohen në Qershorin e vitit 2020.
VII) Të mandatohet një qeveri teknike me bazë të gjerë për 12 muajt e ardhshëm. Ajo duhet të përgatisë dhe implementojë Reformën Kushtetuese dhe Reformën Zgjedhore. Largimi i Edi Ramës si kryeministër mbetet një kërkesë, por nuk është një kusht për këtë pakt.
VIII) Të mandatohet nga parlamenti një komision i ri i Reformës së Kushtetutës dhe Reformës Zgjedhore. Ky komision duhet të jetë gjithëpërfshirës. Në krye të tij të vendoset një konstitucionalist, pa parti. Në përbërje të komisionit të jenë tre përfaqësues nga koalicini i PS-së, tre nga koalicioni i PD-së, dy nga LSI, tre nga grupet e deputetëve aktualë të parlamentit të ardhur nga listat e PD, LSI dhe partitë e tjera aleate të tyre në zgjedhjet e 25 qershorit, ish presidentët e Republikës, tre përfaqësues nga partitë e tjera politike joparlamentare, tre konstitucionalistë të njohur që janë të pavarur nga partitë dhe aktivë në jetën akademike, 5 intelektualë të shquar shqiptarë nga diaspora me gradën ‘doktor shkencash’, të studiuar në universitete të njohura e prestigjioze në Perëndim, 3 përfaqësues të shoqërisë civile që janë të pavarur nga partitë, tre gazetarë të pavarur, dy përfaqësues nga Akademia e Shkencave dhe tre gjykatës që kanë kaluar procesin e Vettingut. Ky komision i reformës do të bashkëpunojë ngushtësisht me OSBE/ODIHR-in.
P.S. Kushdo mund të heqë dhe të shtojë çfarë të dojë dhe çfarë të mendojë për më mirë nga ky draft. Madje mund ta paraqesë si të vetin këtë dokument. Partia ‘Zgjidhja’ nuk i pretendon të drejtat e autorit. Ne duam vetëm një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të pasur, një Shqipëri që i do dhe i mban të gjithë, një Shqipëri që është e të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm e kryetarëve!