Nga Skender Minxhozi
Nuk është dorëheqja e Sandër Lleshajt lajmi më i bujshëm i këtyre 24 orëve të çmendura që ka kaluar Shqipëria, pasi një polic anonim vrau një djalë të ri 25 vjeçar në periferi të Tiranës. Është vizita e Edi Ramës në shtëpinë e të ndjerit, menjëherë pas mbërritjes në Rinas, pas udhëtimit në SHBA. Ishte ky gjesti i fortë i njohjes dhe pranimit të përgjegjësisë objektive që duhet të mbajë shteti, edhe kur këmbëzën e krimit nuk e tërheq ministri apo kryeministri. Këtu fillon dhe mbaron simbolikisht kjo ngjarje, mes shtetit dhe qytetarit që i kanë vrarë njeriun më të shtrenjtë. Lleshaj ra teksa Edi Rama dhe Qazim Rasha pinin kafen e mortit të Klodianit.
Pjesa tjetër, ajo që pamë jashtë asaj shtëpie modeste, me djegie, kërcënime, protesta të dhunshme, është e gjitha një përdorim i pastër dhe hipokrit për qëllime politike. Opozita e mori kauzën e dhimbshme të Klodian Rashës, si dikur arkivolin e Azem Hajdarit, për ta përdorur si municion kundër kryeministrisë. Kaq të ndryshme e të largëta mes tyre, këto dy ngjarje tragjike kanë të përbashkët përdorimin cinik të vdekjes.
Edi Rama ka bërë sot gjënë e drejtë, duke vendosur një standart të qartë me dy etapa, të cilin të tjerë para tij na kanë treguar se nuk kanë këllqe ta aplikojnë: së pari, shkeli personalisht në shtëpinë e mortit, duke u parë sy në sy me prindërit e të ndjerit Klodian Rasha dhe së dyti, pranoi largimin e ministrit më të rëndësishëm të qeverisë, ende pa dalë ekspertiza e ngjarjes tragjike dhe pa e marrë fjalën drejtësia, por vetëm për përgjegjësinë objektive që ai ka si drejtues madhor i trupës së policisë.
Të dyja këto veprime duan kurajo dhe ndërgjegjen e qetë. Sepse i kemi të tjerët, që sot shtyjnë turmat, sesi kanë mbajtur në punë, në arrest shtëpie, zyrtarë të lartë të hetuar për zhdukje personash. I kemi parë këta liderë politikë, që sot bërtasin kundër krimit shtetëror, sesi dje merrnin në mbrojtje gardistët vrasës të katër njerëzve të paarmatosur. Për fat nuk flasim për “vitin 1938”, si dikur regjimi komunist. Janë krime të freskëta, me autorë e përgjegjës që të gjithë të gjallë e “majë kalit”.
Sot Edi Rama i dha partisë së 21 janarit një shuplakë publike, në kthim nga Rinasi. Sot u zbatua edhe në Shqipëri standarti defiçitar i dorëheqjes, një standart që duhej ta shihnim shumë më shpesh këto 30 vjet.
Krimi ndaj Klodian Rashës duhet të zbardhet deri në fund, që të dalë e plotë përgjegjësia e atij ose atyre që kanë shkelur ligjin. Le të jemi të gjithë më të qetë që ky hetim do të kryhet me një ministër të dorëhequr, si premisë për një proces më të drejtë, më objektiv dhe më të paanshëm./ Javanews.al