Kosova U21 e ka përmbyllur të ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian 2027, duke grumbulluar 15 pikë, më shumë se në çdo cikël të mëparshëm kualifikues. Dardanët e rinj e mbyllën garën në vendin e katërt në Grupin A, pas barazimit spektakolar 4:4 ndaj Finlandës U21, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kosova e nisi shumë mirë ndeshjen ndaj Finlandës dhe kaloi në epërsi në minutën e 15-të, kur Medin Gashi realizoi për 1:0.
Dy minuta më vonë, Laurent Xhylani pati mundësinë për ta dyfishuar epërsinë, por nuk arriti të shënonte nga penalltia.
Finlanda e shfrytëzoi këtë mundësi dhe në minutën e 34-t barazoi përmes Arttu Lotjonen.
Kosova reagoi menjëherë dhe vetëm katër minuta më vonë riktheu epërsinë. Lendrit Shala shënoi për 2:1, pas asistimit të Laurent Xhylanit.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë. Finlanda e nisi më mirë pjesën e dytë dhe në minutën e 48-të barazoi në 2:2 përmes Marius Soderback.
Kosova sërish kaloi në epërsi në minutën e 57-të, me golin e dytë personal të Medin Gashit. Finlanda nuk u dorëzua dhe në minutën e 73-të Matias Siltanen shënoi për 3:3. Dardanët e rinj reaguan sërish dhe në minutën e 84-t Faton Ademi realizoi për 4:3.
Megjithatë, Kosova nuk arriti ta ruante epërsinë deri në fund, pasi Onni Helen shënoi në minutën e 90-të për rezultatin përfundimtar 4:4.
Me këtë ndeshje, Kosova U21 e përmbylli një cikël pozitiv, duke vendosur një rekord të ri sa i përket numrit të pikëve të grumbulluara në një fushatë kualifikuese për Kampionatin Evropian.
Në dhjetë ndeshje të zhvilluara, Kosova U21 regjistroi katër fitore, tri barazime dhe tri humbje.
Spanja e përfundoi ciklin në krye të grupit me 27 pikë dhe siguroi kualifikimin për Kampionatin Evropian, ndërsa Finlanda u rendit e dyta me 23 pikë. Rumania përfundoi në vendin e tretë, ndërsa pas Kosovës u renditën Qiproja dhe San Marino.







