• Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
Nuk ka rezultate
View All Result

Lamtumirë Fatos, (anti)heroi i kohës sonë

31/10/2025
Lamtumirë Fatos, (anti)heroi i kohës sonë

Nga Andi Bushati

Fatos Nanos është ndarë përfundimisht nga jeta pas një lëngimi të gjatë, duke iu nënshtruar edhe vdekjes fizike, pasi kishte zgjedhur, me vullnet të plotë, atë politike, këtu e shumë vite më parë.

I tërhequr prej kohësh në privacinë e tij, lideri historik i PS-së është një nga figurat më simbol të politikës shqiptare të tre dekadave të fundit. Jo vetëm sepse ka drejtuar për më shumë se 15 vjet partinë më të madhe në vend, jo vetëm se ka qenë 3 herë në krye të qeverisë, por mbi të gjitha, për kontradiktat, paradokset, dyzueshmërinë që ka shpërfaqur në faza të ndryshme të karierrës së tij e që sot janë copza të një pazëlli që gjendet i përhapur në të gjitha skajet e politikës aktuale shqiptare.

Demokrat në bindje po aq sa hakmarrës primitiv në mardhënie personale; tolerant me kundërshtarët, po aq sa cinik, tallës e përbuzës me të tijtë; poliglot brilant që rezatonte kulturë perendimore, po aq sa promovues i zhargonit rrugaçëror në politikë; pranues i trashëgimisë enveriste (babaiin nuk e ndërroj si xhaketën), po aq sa njeriu që i nguli i fundit thikën Ramiz Alisë; promovues këmbëngulës i një gjenerate të re socialistësh, po aq sa dhe varrmihës i dëshpëruar i një brezi pasardhësish që nuk e mposhti dot; ai mbetet një figurë komplekse, plot diritë dhe hije.

Nuk ka dyshim se emri i Nanos do të shkruhet në histori për shndërrimin e një partie ish komuniste në një force demokratike, ndoshta me demokratiken që kemi pasur që nga 1991. Ai udhëhoqi një PS moderne, me rryma dhe ide të kundërta, ku kishte pluralizëm mendimesh dhe garë të vërtetë, ku askush nuk përjashtohej se kritikonte kundërshtarin, madje një pjesë e rebelëve kishin vende në drejtimin e PS e më pas të qeverisë. Parë nga optika e sotme kjo ngjan me një lluks të harruar.

Ai do të mbahet mend edhe për përballimin me dinjitet të së parës burgosje politike, të urdhëruar nga regjimi i Berishës dhe të zbatuar nga levat e tij në drejtësi. Por, këtë goditje pas shpine, ato katër vite burgu të shoqëruar në sheshet e gjithë vendit me thirrjet e turmave, “E Duam, e duam Fatos Nanon”, i sublimon më tepër edhe toleranca e treguar apo vetëpërmbajtja ndaj instikteve revanshiste, pasi u kthye pushtet.

Ndonëse shembja e regjimit të Berishës së parë i krijoji mundësi për pushtet absolut, ai ngjiti në presidencë Rexhep Mejdanin, jo Bajram Begajn apo Nishanin. Ndonëse, kishte vota më shumë se sa i duhej, ai nuk e kërkoi tepsinë vetëm për vete, por e ndau me social demokratët e Gjinushit dhe Milos, njësoj si me Aleancën e Cekës e Imamit. Nga një vend pa televizione dhe banka private, ai i hapi rrugën një shoqërie dhe ekonomie më liberale.

Pavarësisht këtyre ai dështoi shpejt. I ardhur në pushtet në 1997, ai u rrëzua pas pak më shumë se një viti. Por, arriti sërish të ringrihet edhe kur mundi kryeministrin Majko në 1999, për kreun e partisë edhe kur zbriti Metën në 2001, nga drejtimi i qeverisë, duke shfrytëzuar trashigiminë demokratike që kishte injektuar me këmbëngulje në atë parti. Por, mbi të gjitha Fatos Nano do të shënohet në histori si njeriu që mundësoi të parin rotacion normal pushteti në 2005, duke bërë një gjë të paimagjinueshme në ditët tona, largimin nga politika pas humbjes.

Ama, nëse njëra anë e medaljes është e mbushur me rekorde pozitive, ajo konkurohet denjësisht nga faqja tjetër e saj. Lista e mëkateve të liderit historik është po aq e gjatë sa ajo e meritave të tij. Si kryeministër ai u tregua krejt i pandjeshëm në betejën kundër korrupsionit që rritej përditë, madje dëshmonte një ngazëllim fëmijënor dhe të pafshehur, kur frutet e helmuara të që rridhinin nga doganat, tatimet, KESH-i, përfundonin në sundukun e familjes së tij.

Ai është regjistruar në memorien kolektive edhe për mungesën e parimsisë që, herë pas here, degradonte deri në sharlatanizëm politik. I njëjti njeri që mbante lart skeptrin e kundërshtarit dhe akuzuesit më të fortë të berishizmit ndër vite, shkoi e ra, në fund, në prehrin e Saliut, vetëm për të kapur një vend në presidencë, madje e bëri këtë edhe me çmimin e dhimbshëm të dëmtimit të partisë që e kishte themeluar vetë.

Ka edhe më. Ai do të mbëhet mend si artikuluesi i akuzave më të rënda kundër djalit plangprishës që e mori si një hajdut ikonash me thonjë të paprerë nga Parisi, për ta bërë pjesë të qeverisë. Por ama, kur Edi Rama u përforcua në pushtet, ai i shërbeu qëllimeve elektorale të këtij të fundit, në këmbin të alishverisheve të vogla me leje ndërtimi.

Njësoj siç do kujtohet për tolerancën dhe kultivimin e demokracisë së brendëshme, ai nuk do i shpëtojë dot as kujtesës së eksperimentimit të rikthimit të PS në një parti autokratike.

Vitet e fundit të pushtetit, që përkuan edhe me të qenit dhëndër i ri, në një mosh të pjekur, ato të kongresit kur e përshkruante veten si zogun vetmitar që nga pas i vjen historia, nën vëzhgimin e përlotur të bashkëshortes, ai demostroi se mund ta zgjonte tek ajo parti që e pati hapur me aq mund, atavizmat e shkuara diktatoriale. Njeriu që i jepte hapsirë kundërshtarëve përjashtoi nga partia, me një të rënë të lapsit, të gjithë grupin e mbështetësve të Metës. Lideri që qe lartësuar përmes garës dhe konkurencës, vendosi ta lërë pas dyerve të mbyllura Edi Ramën, kur ky vendosi ta sfidojë në zgjedhjet për kreun e PS-së.

Ndoshta ky ndryshim radikal i filozofisë, tradhëtimi i vlerave më të mira që kishte afishuar, e çoi në disfatë dhe në daljen vullnetare nga politika. Madje, madje, piruetat e shumta diskredituese në vite, ia pamundësuan suksesin me lëvizje nga poshtë, atëherë kur imagjionoi ndonjë nismë të zbehtë për tu rikthyer në epiqendër të lojës.

Megjithatë, parë nga sot, dalja nga shinat demokratike në vitet e fundit të pushtetit duket si një gërvishtje e lehtë, në raport me kllapinë autokratike ku ka degraduar vendi sot. Edhe akuzat për korrupsion, po të krahasohen me babëzinë aktuale, e bëjnë Fatos Nanon të ngjajë si një hajdut xhepash, në raport me ata të cilëve u la stafetën e trashëgimisë së tij politike.

Pikërisht për këto arsye, mund të thuhet pa frikë, se Shqipëria humbi në këtë vjeshtë të demokracisë së saj, njeriun simbol, që sendërzonte njëkohësisht të gjitha të mirat dhe mëkatet që janë transferuar në politikën e sotme. Nga jeta aktive ai ishte larguar kohë më parë. Fizikisht e mbylli sot, ndoshta si për të na kujtuar, se bashkë me lamtumirën e vet të fundit, do të zhbëhet, pak nga pak edhe ajo që njihet si ana e ndritur e trashëgimisë së tij.

Related Posts

Ben Ahmetaj: Jam kërcënuar nga 3 numra, duan eleminimin tim fizik
Kryesore

Ben Ahmetaj: Jam kërcënuar nga 3 numra, duan eleminimin tim fizik

18/11/2025
Berisha: Edvin, nga ky shesh do të vijë fundi yt
Kryesore

Berisha: Edvin, nga ky shesh do të vijë fundi yt

17/11/2025
Sherr mes prezantueseve të Top Channel, televizioni i pushon nga puna
Kryesore

Sherr mes prezantueseve të Top Channel, televizioni i pushon nga puna

17/11/2025
SPAK shtyn për herë të katërt hetimet ndaj Ahmetajt, në pritje të letër-porosive nga Zvicra
Lajme

Kërkesa për ekstradim në Zvicër/ Reagon Arben Ahmetaj

17/11/2025
Surpriza të tjera nga moti, ja çfarë do të ndodhë gjatë javës së ardhshme
Kryesore

Jepet alarmi për përmbytje, Gjirokastra mes 4 qarqeve të rrezikuar

17/11/2025
Policia: Ariu në Memaliaj ka ngordhur, po punojmë të zbulojmë kush e kapi në çark
Kryesore

Policia: Ariu në Memaliaj ka ngordhur, po punojmë të zbulojmë kush e kapi në çark

17/11/2025

Argjiroja.net është një media online e pavarur, që informon me profesionalizëm dhe shpejtësi lexuesit. Në vëmendjen tonë të veçantë janë kryesisht ngjarjet në jug të Shqipërisë, por edhe zhvillime të tjera të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Argjiroja.net është pjesë e NaN Studio Sh.P.K me NIPT M02012001P

Për marketing dhe çdo informacion tjetër na shkruani në adresën [email protected]

Të fundit

Italia, Botërori po bëhet makth, fati i “azzurrëve” kalon sërish nga “play-off”

Italia, Botërori po bëhet makth, fati i “azzurrëve” kalon sërish nga “play-off”

18/11/2025
Erewhon heq emrin e Hailey Bieber nga smoothie-i i famshëm “Strawberry Glaze”, përse vallë?

Erewhon heq emrin e Hailey Bieber nga smoothie-i i famshëm “Strawberry Glaze”, përse vallë?

18/11/2025
  • Kryesore

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al

Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al