Dy turistë francezë u përfshinë sot në një aksident në Vlorë. Një prej tyre ndërroi jetë. Mësohet se ata po udhëtonin me biçikletë kur u përplasën nga një makinë. Bëhet fjalë për një çift bashkëshortësh të përfshirë në aksident. Sipas policisë, gruaja ka ndërruar jetë në spital. Deri më tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes. Policia ndodhet në vendin ku ndodhi aksidenti.
Detaje nga policia:
Rreth orës 15:20, në aksin rrugor Bestrov-Vlorë, automjeti me drejtues shtetasin K. D., 24 vjeç, banues në fshatin Oshtimë, Vlorë, ka aksidentuar 2 shtetas francezë (bashkëshortë), që udhëtonin me 2 biçikleta. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë shtetasja franceze V. K., 51 vjeçe, ndërsa bashkëshorti i saj shtetasi F. M., 47 vjeç, ndodhet në spitalin e Vlorës, nën kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi K. D., u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit. Nuk është hera e parë që turistët mbesin viktima në rrugët e Shqipërisë si pasojë e aksidenteve rrugore. Edhe pse nuk dihen saktësisht rrethanat e aksidentit, një nga problemet që janë ngritur shpesh nga ekspertët rrugorë janë jo vetëm kushtet e rrugëve, por edhe sinjalistika e dobët.