Policia e Himarës u ka ardhur në ndihmë 5 turistëve që u përballën me disa incidente fatmirësisht pa pasoja për jetën në Gjirin e Fillkurit.
Përmes një njoftimi për mediat blutë e Himarës bëjnë me dije se 4 turistë, suedez dhe anglezë që kishin dalë me kajak nga zona e Potamit në drejtim të Filikurit, humbën kontaktin me grupin dhe mbetën të bllokuar për shkak të erës së fortë dhe dallgëve.
Pas një aksioni, ata u lokalizuan pranë “Gurit të Kuq”.
“Në rastin e parë, katër turistë të huaj, dy shtetas suedezë dhe dy nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët kishin dalë me kajak nga zona e Potamit në drejtim të Filikurit, humbën kontaktin me grupin dhe mbetën të bllokuar për shkak të erës së fortë dhe dallgëve.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë kërkimet përgjatë vijës bregdetare dhe arritën t’i lokalizojnë pranë “Gurit të Kuq”. Turistët u evakuuan në mënyrë të sigurt”, njoftoi sot policia.
Ndërkohë policia i erdhi në ndihmë edhe një turiste australiane që ishte bllokuar në Gjirin e Filikurit, pasi kishte mbetur e lënduar.
“Në rastin e dytë, një shtetase australiane kërkoi ndihmë pasi kishte pësuar dëmtime fizike dhe ndodhej e bllokuar në Gjirin e Filikurit. Menjëherë u angazhua mjeti lundrues i Policisë Kufitare, i cili bëri të mundur lokalizimin dhe transportimin e saj drejt Portit të Himarës, ku më pas u dërgua për trajtim mjekësor në spital.
Turistët falënderuan shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar. Policia Kufitare vijon të jetë e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve dhe, në këtë kuadër, fton qytetarët që në rast nevoje të telefonojnë në numrin 112”, thuhet më tej në njoftim.









