Nga Mirela Kumbaro
Për Engjëllushen që shkoi te engjëjt. Shumë e keqardhur jam që Ëngjo Tuqi ndahet prej nesh! Sa herë mendoj se si është një nikoqire gjirokastrite me breza sa dhe gurët e Gjirokastrës, Engjëllushja, Zonja e Hotel Gjirokastra më vjen ndër mend. Rasti tipik që shtëpinë e saj, dijen e saj për mikpritjen, qëndismat, jastëqet e radhës, çullet e minderet, tertipet e ormisjet e kuzhinës së saj i ktheu në një kartolinë të turizmit gjirokastrit, i papërsëritshëm sepse gjirokastritë si Ëngjua janë vetë trashëgimi kulturore. Nuk e harroj që vinte vetë deri në Tiranë e merakosur për të ndjekur deri në detaje projektin e restaurimit të shtëpisë kur e transformoi atë hapësirë të trashëguar në bujtinën e njohur tashmë si Hotel Gjirokastra. Dua ta falenderoj Engjëllushen që ka ditur jo vetëm ta krijojë atë markë gjirokastrite por edhe që ia ka përcjellë me dashuri të pashoq pasionin e saj të birit, Qazos, e familjes së tij, për të siguruar Gjirokastrën dhe vizitorët e saj se tradita dhe zakonet e mira vazhdojnë dhe janë në duar të sigurta! T’ju ketë lënë uratën! Të rroni e ta kujtoni!