Mjeku kirurg Florant Bushe është personazhi i vitit 2019 në Gjirokastër. ArgjiroLajm.net mbylli sonte në mbrëmje sondazhin e publikuar në fillim të këtij muaji, ku kishim listuar 10 personazhe të ndryshme. Bushe renditet si më i votuari me 1802 vota. Në vendin e dytë është zjarrfikësi veteran, Maksi Çani, i cili ka marrë 1521 vota. Bushe dhe Çani kanë udhëhequr sondazhin si dy më të votuarit nga lexuesit e faqes tonë, që prej ditës së parë kur ne e publikuam.
Në vendin e tretë renditet mjeshtri i polifonisë labe, Arjan Shehu me 630 vota. Në vendin e katërt mësuesja e dalë në pension, Figali Rogo me 475 vota. Lista vijon më tej me personazhet e tjerë sipas votave që ata kanë marrë. Numri total i votuesve në këtë sondazh është 5 294. Fituesi Florant Bushe është një prej kirurgëve të rinj që ka ardhur të shërbejë në spitalin rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër.
E përfshimë në këtë listë sepse besojmë që mjekët të cilët zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri, aq më tepër në zona përtej Tiranës, meritojnë mbështetje dhe inkurajim në punën e tyre. Florant Bushe nga Fieri është një prej mjekëve të rinj në vend. Të shpresojmë se gjërat do të ndryshojnë për mirë dhe ai nuk do të marrë rrugën drejt Gjermanisë si shumë kolegë të tij.
©argjiroja.net